Kush po përpiqet të vëjë monopol mbi të vërtetën për presidentin Rugova?

03.01.2018 10:23:14

Nga Rexhep Kastrati

Një libër i Milazim Keasniqit për presidentin Rugova ka ngjallë interesimin e njerëzve, të cilët u ngutën për ta pasur në dorë.

Ky interesim i madh i njerëzve bazën e ka në faktin se Milazim Krasniqi ka qenë një nga njerëzit e afërt të presidentit Rugova, prandaj edhe është konsideruar se kompetenca e tij për të rrëfyer sekretet e tij, është e padiskutueshme.

Kështu ka ndodhur edhe me rrëfimet e Adnan Merovcit, të Jusuf Buxhovit dhe të tjerëve që kanë folur për presidentin Rugova, madje edhe në emër të tij.

Mirëpo, pikërisht këtu është kurthi që njerëz të konsideruar të afërt të presidentit Rugova, i ngrejnë opinionit të gjerë, të interesuar shumë për informacione të pathëna për njeriun më tipik dhe më të veçantë në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Dhe ky kurth ka të bëjë me faktin se meqë kanë qenë të afërt me presidentin Rugova, kanë monopolin e të vërtetës dhe gjithçka që thonë ata, është e vërtetë dhe e saktë. Ndërkaq, është i dukshëm synimi që të operohet me gjysëm të vërteta, me të pavërteta, me interpretime subjektive të ngjarjeve në të cilat kanë një protagonizëm.

Thelbi i gjithë problemit qëndron në faktin se fshihet roli i vërtetë i gjithë këtyre në ngjarje dhe procese për të cilët flasin me kompetencën e vetëmonopolizuar. Prandaj, shtrohet pyetja: a mos po flasin sot, por jo sa ishte presidenti Rugova gjallë, për të imponuar të vërtetën për rolin e tyre në ngjarje dhe procese të ndryshme? A është kjo shpërfaqje e një kompleksi të fajit personal për rolin e tyre dhe mundësisë që kishin si të afërt me presidentin Rugova? Dhe kur shtroj këto pyetje, kam parasysh faktin se si Milazim Krasniqi, ashtu edhe Adnan Merovci kanë qenë në pozitë të privilegjuar, madje Milazimi konsiderohej si të ishte djalë i presidentit Rugova. Çdo skutë e Kosovës dhe jashtë saj ka ende jehonën e përshëndetjeve që Milazimi përcillte në emrin e presidentit Rugova.

Në këtë kontekst, pavarësisht të gjithave, braktisja e presidentit Rugova nga soji i Milazimit a mund të konsiderohet si shpërfaqje e komplekseve të hershme që Milazimi, Adnani dhe ndonjë tjetër kanë nga implikime të ndryshme qoftë që nga koha e nismës për themelimin e LDK-së, apo edhe më herët, por edhe gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur kishin  mjaft privilegje për shkak të pozitës që mbanin?

A ishin të përfshirë Milazimi, Adnani dhe të tjerë si këta në luftën e brendshme për monopolizimin e pushtetit partiak dhe në përgjithësi në pushtetin e shqiptarëve në kuadër të lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci?  A kishin këta dhe të tjerët si këta, rol në keqinformimin e presidentit Rugova lidhur me personalitete të rëndësishme të kohës? Në këtë kontekst, a kishin rol edhe në mosmarrëveshjet ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë në ekzil? Po roli i tyre dhe i të tjerëve si këta, në periudhën e pragfillimit të luftës në Kosovë dhe gjatë saj?

Pse një ndër njerëzit më të afërt të presidentit Rugova ta braktisë atë? A ka pasur probleme në raportet e tyre me presidentin Rugova edhe para se të fillonte lufta?

A janë shantazhuar të tillët për ta braktisur presidentin Rugova?

Si ndodhi që njerëz të afërt të presidentit Rugova, që kishin privilegje edhe financiare, jo vetëm të braktisnin presidentin Rugova, por edhe të organizonin fushata primitive kundër tij?

Si ndodhi që njerëz të afërt të presidentit Rugova të bëheshin njerëz të afërt të Hashim Thaçit?

Gjithsesi këto janë vetëm një pjesë e pyetjeve, përgjigjet e të cilave janë më të gjera dhe zbardhin thelbin e çështjeve të rëndësishme në zhvillimet socio-politike, socio-historike dhe socio-kulturore në Kosovë dhe rreth Kosovës.