Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet

02.10.2016 15:06:50
8 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës, po ndihet nevoja që kjo kushtetutë të rishkruhet. Ka shumë kufizime, shumë mangësi dhe ka shumë shkelje që i bëhen çdo ditë Kushtetutës nga të gjitha anët, prandaj si e tillë është dëshmuar se si akt kushtetues nuk është shumë i qëndrueshëm.

Shqetësuese është se asnjë veprim nuk merret ndaj shkelësit të Kushtetutës dhe askush nuk e inicion rastin. Pikërisht për shkak të mangësive dhe vakumeve që ka, njohësit e Kushtetutës thonë se do të duhet që sa më parë të rishkruhej.

Flitet shumë për shkeljet Kushtetuese por jo të gjithë qytetarët janë në dijeni se kur bëhet fjalë për këto shkelje. Jemi mësuar që shkeljet Kushtetuese të adresohen në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga partitë politike, por të pakta janë rastet kur dëgjohet që një qytetar apo individ i vetëm ka paraqitur rast për shkeljet eventuale Kushtetuese ndaj tij.

Këto shkelje po evidentohen vetëm nga institucioni i Avokatit të Popullit, por nuk ekziston një mekanizëm tjetër veç këtij institucioni i cili do të adresonte shkeljet. Ndërsa, krijimi i një mekanizmi tjetër për kontrollin ndaj shkeljeve Kushtetuese sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliu nuk do të ishte e nevojshme.

Madje krijimi i një supra-Kushtetuese do të krijojnë disbalancë të sistemit Kushtetues. Mazllum Baraliu, njëherit edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, tha për KosovaPress se edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk është humane me qytetarët dhe ka shumë kufizime për të adresuar një shkelje, prapë se prapë krijimi i një mekanizmi i cili do të kontrollonte shkeljet apo krijimi i supra-Kushtetuese nuk do të ishte e nevojshme.

Edhe pse e çmon Kushtetutën e Kosovës, Baraliu tha se pasi ajo nuk është e kompletuar dhe ka shkelje që i bëhen çdo ditë, është dëshmia që Kushtetuta e tanishme e Kosovës, nuk është e qëndrueshme dhe duhet të ndryshohet.Për kontrollet ndaj shkeljeve Kushtetuese që iu bëhen qytetarëve të Kosovës po merret institucioni i Avokatit të Popullit.  Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se parashtrimi i ankesave prej qytetarëve të Kosovës nuk është në atë gjendje të sofistikume, pasi që ankesat e ardhura kryesisht dërgohen pa përfaqësues juridik.

Ndërsa se a duhet krijimi i një mekanizëm që do i kontrollonte shkeljet Kushtetuese, Jashari, tha se institucioni që ai drejton merret me shkeljet dhe i adreson tek gjykatat. Shqetësuese është asnjë veprim nuk merret ndaj shkelësit të kushtetutës dhe askush nuk inicion rastin. Kemi rastin me rektorin e huaj të emëruar nga Qeveria e Kosovës, konkretisht ne MASHT në Universitetin e Prizrenit, ku përveç se është shkruar nga mediat, askush nuk e ka shqyrtuar.

Ish-ministri i arsimit, Enver Hoxha kishte emëruar një shtetas gjerman për rektor të pare të Universitetit të Prizrenit duke e shkel Kushtetutën, pasi sipas kushtetutës, poste publike mund të marrin vetëm ata që janë shtetas të Republikës së Kosovës, transmeton kosovapress. Në rast se dikush shkel Kushtetutën e Kosovës dhe rasti nuk është iniciuar tek Gjykata Kushtetuese, çfarë ndodh ?Drejtori i Zyrës për media në Gjykatën Kushtetuese Veton Dula për KosovaPress tha se neni 113 i Kushtetutës, pika 1 e përcakton qarë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të nxjerr vendime vetëm për raste të parashtruar në mënyrë ligjore.

“Përkitazi me shkeljet e pretenduara të Kushtetutës së Kosovës, Neni 113 i Kushtetutës, pika 1, e përcakton qartë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të nxjerr vendime vetëm për rastet e parashtruara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara”, ka thënë Dula përmes e-mailit.Gjithashtu Dula, ka shkruar se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucioni në vend për të përcaktuar çdo shkelje eventuale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.