La Liga me ekipet më sulmuese në Europe

24.01.2017 15:30:08

Kampionati Spanjoll është kompeticioni që ka skuadrat më sulmuese në Europë. Sipas  asaj që publikohet te e përditshmja Marca, statistikat e La Liga-s flasin për mesataren më të lartë të shënimit të golave në krahasim me kampionatet e tjerë të rëndësishëm në Europë.

Kështu 20 klubet e La Liga-s kanë në aktivin e tyre 549 gola të shënuar me një mesatare prej 2.9 golash për ndeshje. Në vendin e dytë gjendet Premier League me 2.86 gola për ndeshje, ndërkohë që Serie A plotëson podiumin me 2.75 gola për ndeshje. Klasifikimi vijon me kampionatin holandez e Bundesliga-n gjermane në vendin e katërt dhe të pestë.

Liga me mesataren më të ulët të shënimit të golave nga kompeticionet më të rëndësishme të Kontinentit të vjetër, rezulton të jetë ajo franceze me 2.5 gola për ndeshje.

Përsa i përket skuadrave, është Monaco ajo që deri tani ka shënuar më shumë gola, 64 të tillë duke lënë pas emra të tillë si Real Madrid, Barcelona, Manchester United  apo Juventus.

Skuadra katalanase është ajo që në kryeson në këtë pikë në Spanjë me 51 gola të shënuar, po aq sa edhe Liverpool në Premier League.

Në Itali është Napoli që kryeson me 47 gola të shënuar, 1 më pak se Reali i Madridit me të cilin do të përballet edhe në Ligën e Kampioneve në muajin shkurt.