LDK nuk ka bërë thirrje për protestë

22.08.2016 14:06:00

Publikimi i listave të disa anëtarëve të Vetëvendosjes, të punësuar në mënyrë të parregullt në Komunën e Prishtinës, kanë ngjall reagime të ndryshme nga partitë tjera.

Dje, Degët e LDK-së në Prishtinë, përmes një komunikate për medie, iu kanë bërë thirrje qytetarëve të cilët po organizojnë protesta kundër kapjes së shtetit të përjashtojnë nga radhët e tyre përfaqësuesit e inkriminuar të VV-së dhe që marshimin e tyre ta përfundojnë para Komunës së Prishtinës.

Mirëpo kjo u keqkuptua duke u cilësuar si thirrje për protestë nga ana e Lidhjes Demokratike, madje zyrtarë të Vetëvendosjes edhe u tallën me këtë “paralajmërim”.

Asamblisti i LDK-së, Flamur Shala, ka sqaruar për Indeksonline se kjo ka qenë thirrje që protestuesit të  përjashtojnë nga radhët e tyre përfaqësuesit e Vetëvendosjes pasi që edhe ata janë të përfshirë në kapjen e shtetit.

“Punësimet me kontratë mbi vepër janë të paligjshme, me to duhet të merret drejtësia, duhet të merret shteti. Të tjerat janë mjete politike, esencialisht të pakrahasueshme me shkelje ligjore”, ka thënë Shala.

Sipas tij, mashtrimi ndaj të punësuarve se janë pranuar në mënyrë të rregullt është për keqardhje.

Për analistin e çështjeve politike, Imer Mushkolaj është për të ardhur keq që LDK tash e sa ditë nuk reagon dhe nuk proteston kundër të keqes që po shfaqet në përgjimet e publikuara.

“Është për të ardhur keq që LDK tash e sa ditë nuk reagon dhe nuk proteston kundër të keqes që po shfaqet në përgjimet e publikuara, ndërkohë që bën thirrje të protestohet kundër udhëheqjes komunale të Prishtinës, komunë që e ka shkatërruar e tjetërsuar për 13 vjet me radhë. Është e pandershme që në njërën anë të bashkëqeverisësh me ata që e kanë kapur shtetin, të bëhesh bashkëpjesëmarrëse në kapjen e shtetit, e në anën tjetër të shesësh dokrra se si duhet protestuar kundër kapjes së shtetit”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj, ka shtuar duke thënë se protestat qytetare kundër kapjes së shtetit, kundër Klanit Pronto janë duke vazhduar dhe në to janë të mirëseardhur të marrin pjesë edhe anëtarë të LDK-së.