Licencimi i laboratorëve privat për COVID-19, kërkohet të mos ketë marrëveshje “të brendshme” për caktim të çmimit

11.08.2020 11:18:19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi u kanë bërë thirrje laboratorëve të licencuar për testime për COVID-19 që të mos bëjnë marrëveshje në mes vete për caktimin e çmimit në dëm të qytetarëve të vendit.

Zemaj dhe Prestreshi kanë thënë se ky proces do të jenë në monitorim të vazhdueshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se pas licencimit të laboratorëve ky proces duhet të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës dhe për të mos lejuar monop,

“I bëjmë me dije institucioneve të licencuara dhe atyre që do të licencohen se ky proces do të monitorohet nga autoritetet shtetërore….Jemi në kohë pandemie, kohë emergjente dhe duhet të kemi kujdes të shtuar dhe të jemi përgjegjës para qytetarëve”, tha ai.

“Më konkretisht mbështetemi te Autoriteti i konkurrencës dhe institucionet tjera përgjegjëse për të na siguruar që laboratorët nuk do të bëjnë asnjë lloj marrëveshje për caktimin e çmimit në dëm të qytetarëve”.

Ai tha se Kosova është me ekonomi të lirë të tregut por nuk do të thotë të mos ketë rregulla e mbikëqyrje.

“I bëjmë thirrje institucioneve të licencuara t’i respektojnë rregullat dhe të mos na vënë në pozitë që të marrim masa për dënime dhe tërheqje të licencës”, tha ai.

Ndërkaq, Valon Prestreshi nga Autoriteti i Konkurrencës tha se do të jenë në gatishmëri të plotë për ta mbikëqyrur këtë proces.

Ai tha se nga ditët e para kur ka filluar pandemia kanë ndërmarrë të gjitha masat që të parandalojnë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës, ndërsa njoftoi se gjatë muajit prill kanë evidentuar shkelje të konkurrencës në disa raste që kanë të bëjnë me shitje të dezinfektuesve dhe alkoolit për përdorim mjekësor. “Sapo të kemi diçka të re do të informojmë”, tha ai.

Prestreshi u bëri thirrje institucioneve të licencuara që në mënyrë të pavarur të bëjnë caktimin e çmimit të shërbimeve dhe të mos bëjnë ndonjë marrëveshje në mes vete në dëm të qytetarëve të vendit.