Lirimi i ‘Hakmarrjes për drejtësi’, Basha: Urdhërin e dha Rama, tani hesht si guak

13.02.2017 15:28:48

“Kur i ngelen edhe pak muaj në pushtet, Edi Rama ka arritur t’i sigurojë lirinë organizatës më kriminale në vend, “Hakmarrjes për Drejtësi”.

Vendimi i sotëm i gjykatës së Apelit, është thjesht një zbardhje e urdhrit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë dyshim, që është ai pas kësaj goditje te rende ndaj ligjit dhe rendit.?

Siç e denoncoi edhe ish-ministri i tij i Drejtësisë, Edi Rama urdhëron gjyqtarë me telefon, i sulmon ata me ulërima, gjurmon në mënyrë ta paligjshme zyrtarët e drejtësisë. Pra ai dikton vendime.

Dhe sot, kur organizata që ka kryer dhjetëra krime merr pafajësinë, ai hesht si guak. Dhe do të heshtë, me siguri s’ka për të thënë asnjë fjalë.

Heshtja e tij gjendet në trojet e Tiranës të bëra pallate kur ai ishte kryetar bashkie me këtë bandë, heshtja e tij fsheh synimin për të vazhduar bashkëjetesën me krimin, qëllimin e tij për të dhunuar zgjedhjet që po vijnë.

Pas lirimit të Lul Berishës në Durrës, mos kapjes së Klement Balilit në Sarandë, dërgimit në spitalin e burgut të Emiljano Shullazit në përgatitje për ta liruar nga burgu në Tiranë, lirimi i Hakmarrjes për Drejtësi ka konsoliduar një fron të pastër kriminal të kontrolluar dhe në shërbim të Edi Ramës. Sepse vetëm kështu mund ta mbajë pushtetin.

I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihemi kundër krimit. Ju bëj thirrje partnerëve të huaj të vlerësojnë seriozisht rrezikun e madh që ka jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e tyre, sundimi i krimit dhe kapja totale e shtetit nga krimi i organizuar në Shqipëri.

#NgrihemiBashkë kundër krimit dhe qeverisë së Edi Ramës më #18Shkurt”, shkruan kreu i PD-së Lulzim Basha në një reagim të tij për vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.