Lufta e ndyrë kundër LDK-së dhe familjes së presidentit Rugova

07.06.2018 19:20:51

Nga Rexhep Kastrati

“Insajderi”, mbrapa të cilit mund të qëndrojë Kadri Veseli, i ka mëshuar sot marrëdhënieve të LDK-së me familjen e presidentit Rugova, e të cilat kanë shpërthyer me rastin e formimit të qeverisë aktuale, e ku Teuta Rugova ka pasur një trysni të madhe për të voruar apo mos votuar për Ramush Haradinajn.

Rasti i sotëm që Teuta Rugova është bërë pjesë e një delegacioni 30 vetash në krye me Kadri Veselin që do të qëndrojnë në Austri dhe në Francë, dhe deklarimi ndoshta i vonuar publik i Avdullah Hotit se Grupi parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës ishte kundër këtij, turi turistik, siç e quajti z. Hoti, është një rast që nuk mund dhe nuk duhet të cenojë marrëdhëniet ndërmjet LDK-së dhe familjes së presidentit Rugova.

Unë nuk mund të them se a i është kërkuar apo nuk është kërkuar Teuta Rugovës të mos jetë pjesë e atij delegacioni, nuk mund të them se a ka qenë apo nuk ka qenë ajo në dijeni të qëndrimit zyrtar të LDK-së lidhur me këto vizita, por mund të them se kjo çështja nuk ka as peshën dhe as rëndësinë që kanë qëndrimet dhe veprimet politike, partiake, institucionale të Vjosa Osmanit, të Shpejtim Bulliqit, të Arben Gashit, të të Anton Qunit dhe të shumë të tjerëve, të cilët në mënyrë deklarative, praktike dhe të sjlljes së tyre nuk kanë përfillë shumicën e vendimeve të forumeve më të larta të LDK-së dhe kanë deklaruar, kanë vepruar dhe janë sjellë në përputhje me qëndrimet, deklarimet dhe sjelljen politike të opozitës së djeshme, pjesë e të cilit ishte edhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, e që tashmë dihet se mbrapa atyre zhvillimeve qëndronin hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Një pjesëmarrje e Teuta Rugovës në një delegacion, në rrethana ende të pasqaruara qoftë për arsyet e vonesës së deklarimit të LDK-së për qëndrimin e saj lidhur me këto vizita, qoftë edhe për informimin apo mosinformimin me kohë të Teuta Rugovës  për këtë qëndrim, nuk ndikon as në fatin e LDK-së, as në strategjinë  dhe as në qëllimet thelbësore të saj, kurse mosvotimi i kryetarit të LDK-së për kryeministër, mosrespekimi i vendimeve të forumeve drejtuese të saj nga ana e të lartpërmendurve  dhe të të tjerëve, ka pasur pasoja shumë të rënda edhe për funksionimin e partisë, edhe të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa, edhe të imazhit të saj ndërkombëtar, e që kanë pasur një rol përcaktues edhe për rënien e saj dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje.

Dhe në vend se të gjithë këta të ndëshkoheshin për mosrespektim të vendimeve të forumeve të LDK-së dhe për dëmet që i ishin bërë asaj dhe qeverisjes së drejtuar nga ajo, ata jo që nuk u ndëshkuan, por u privilegjuan më shumë se gjithë të tjerët, duke ua bërë të mundur që me ndihmën e korpusit medietik kundër LDK, de facto të përcaktojnë rrjedhat në këtë parti, kurse ndaj Teuta Rugovës nxitohet të rinisin lufta speciale me qëllim denigrimin e saj dhe të prodhimit të një konflikti ndërmjet LDK-së dhe familjes së presidentit Rugova.

Në fakt, gjithë kjo farë lufte nuk bëhet nga keqardhja as për LDK-në, as për familjen e presidentit Rugova, as për arsye thjesht parimore dhe si interpretim i një lajmi që u poll sot, por bëhen në vazhdimësi të luftës speciale kundër presidentit Rugova dhe kundër LDK-së që ka filluar kur shumica absolute e drejtuesve dhe përbërësve të forumeve të LDK-së nuk kanë qenë fare të përfshirë në rrjedha të veprimtarisë së saj, dhe kur Teuta Rugova ka qenë një fëmijë fare. Pra, bëhet fjalë për një luftë speciale, e cila ka filluar shumë kohë para se këta të ishin protagonistë në politikë apo në institucione. Dhe kjo luftë ka pasur për qëllim që të fuste jo vetëm konflikt ndërmjet LDK-së dhe familjes së presidentit Rugova, por edhe ndërmjet vetë LDK-së dhe vetë presidentit Rugova.

Duhet të kujtojmë se trysnia, dhuna dhe vrasjet politike të kohës së luftës dhe pas saj kanë pasur për qëllim, veç tjerash, që të krijojnë pakënaqësi në strukurat e LDK-së ndaj presidentit Rugova, i cili kishte refuzuar që t’u kundërpërgjigjej në të njëjtën mënyrë.

Edhe pse nuk e ka pasur rezultatin e duhur, lufta totale ndaj presidentit Rugova dhe LDK-së, pra nuk ka arritur të ketë një konfliktualitet ndërmjet strukurave të LDK-së dhe presidentit Rugova, megjithatë nuk mund të thuhet se nuk ka pasur fare rezultat.

E ky synim vazhdoi si synim për të krijuar konfliktualitet ndërmjet LDK-së dhe familjes së presidentit Rugova edhe për të përçarë mbështetësit e saj, edhe për të denigruar si LDK-në, ashtu edhe familjen e presidentit Rugova, e nëpërmjet këtyre edhe vetë presidentin Rugova, dhe si e tillë është pjesë e gjithë strategjisë së brendshme dhe të jashtme, të shqipfolësve dhe të atyre që nuk flasin shqip, të strukturave mafiozo-politike shqiptare dhe atyre të huaja, të strukurave agjenturore shqiptare dhe të atyre kundërshqiptare.

Në fakt, ajo që ka më shumë rëndësi ka të bëjë me faktin se sa LDK dhe familja e presidentit Rugova jnaël afër apo larg filozofisë politike të presidentit Rugova, e që është identitet e saj idoelogjik, politik, demokratik, historik dhe kombëtar.

E ajo që i bën bashkë, i mban bashkë është vetëm filozofia politike e presidentit Rugova, e që është baza për krijimin e unitetit të të gjithë mbështetësve të LDK-së, që ia rkthen LDK-së dhe mbështetësve të saj krenarinë dhe madhështinë që meritojnë!