Luhet pa tifozë me Ukrainën. Në Evian përqafim i përzemërt i miqve të vjetër

03.06.2018 00:04:47

Peripecitë morën fund dhe me hir a me pahir, Shqipëria e Ukraina do të luajnë bashkë ndeshjen miqësore pa tifozë dhe në një stadium që asnjëra palë nuk e donte. Pas presionit të madh të FIFA-s për të respektuar axhendën e miqësores, ekipet i dhanë fund përgatitjeve finale për sfidën e kësaj të diele.

Me shumë gjasa 90 minutëshi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, në stadiumin, gjendja e të cilit lë për të dëshiruar.

Edhe pse me një interes të vogël krahasuar me përballjet e tjera dhe me një stadium modest si ai në Evian’, policia nuk ka marrë përsipër sigurinë e miqësores me tifozë.

Megjithatë, miqësoret janë miqësore dhe ato bëjnë bashkë miq të vjetër. I tillë është rasti i trajnerit të Shqipërisë, Christian Panucci, që në Francë gjeti një mik të hershëm, koleg e rival në kohën kur ishin protagonistë në fushën e blertë dhe po koleg e rival edhe tani.

Tekniku italian i Kombëtares tonë është takuar përzemërsisht me trajnerin e Ukrainës, Andrey Shevchenko gjatë përgatitjeve të fundit për miqësoren mes dy skuadrave. Vetë fotoja tregon se në ç’nivel është miqësia e tyre, që për 90 minuta do të “kriset” në takimin e së dielës.

Christian Panucci kërkon që të shfrytëzojë miqësoren me Ukrainën si trampolinë për t’u shpëtuar kritikave që vërshuan pas asaj ndeshjeje historikisht të dobët ndaj Kosovës në Zvicër. A do t’ja dalë mbanë?