Magjia e poezise se Camajt

04.03.2017 11:26:10

Nga: Behar Gjoka
Një ndjesi e përveçme atdhetare, mbase nga më të fuqishmet, e shkruar ndonjëherë për atdheun në harkun kohor të letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe krejt e hollë në ligjëratën dhe ligjërimin poetik, në strukturim dhe figurim, në frymën dhe teknikën shkrimore, në stilistikë dhe shprehësi, përshkon vargjet e poezisë « Vendit Tem », të cilën vetë poeti e ka quajtur atipike, pra jo të natyrës së tij shkrimore në kuptimin e formës dhe idealitetit shprehës të poezisë së këtij autorit, një vetëdije që të habit dhe mrekullon njëherit. Këtu nëpërmjet strofës treshe, pra një tercinë të shpaluar natyrshëm dhe plot muzikalitet, me vrunduj ndjesinash dhe shprehësie letrare jo të zakontë, zbulohet malli i mërgimtarit dhe dashuria pa kufi për atdheun, që është larg dhe i paprekshëm, malli që ia ka prushitur mendjen dhe shpirtin, malli i djegagurit, i cili e mban të lidhur me trojet dhe gjininë e vetë, e mban të lidhur peng pas shenjave dhe sinoreve të lëna pas, pa dëshirë. Është kjo distancë shumë e largët, e thellë dhe e pamerituar, e rëndë dhe shkëlqimtare, mbase edhe vetë pamundësia e kthimit në dheun amë, që kuptimëson idenë e përgjëratës vetmitare, madje të përmallimit kozmik, të pëshpërimës letrare dhe gjuhësore, derdhur aty nën ethet e vetmisë së thellë dhe shkokëluese, çka e shpërndërron heroin lirik në një send dhe gjasend të natyrës me disa forma dhe pamje, duke krijuar kështu shansin e shpalimit të ndjesive më të holla të autorit për vendlindjen, tashmë për atdheun e lënë shumë larg jo vetëm si hapësirë, por më tepër si frymë dhe intensë letrare, e vetvetishme dhe vetëmjaftuese për të shënuar njeriun dhe poetin. Duke prekur realitetin e tekstit të kësaj poezie lakonike dhe tepër të fuqishme për atdheun, madje më tepër për gadishmërinë e kryerjse së çdo sakrifice për të, patjetër një teksti të mbushur dingas me farfurima dhe vrundullima autoriale, me sprova të një poetike klasike, më së shumti, në teknikën shkrimore dhe në formësimin e vetë të shprehjes së vargjeve, por edhe të shoqëruar edhe me thyerje të befta, të natyrës moderne të shkrimit poetik, ka gjasa të mjafta dhe të prekshme për këtë dyfishim dhe dyzim letrar, pra të një poetike të mbindërtuar me tharm klasik dhe modern, njëherit, do të krijojmë një përshtypje edhe më reale për atë se çfarë përcjellë vjersha. Kështu në strofën fillimtare të poezisë përkushtuese, nga më tronditëse vargje, për atdheun:
« Kur të vdes le të bahem bar
në malet e mija në pranverë,
në vjeshtë do të bahem farë. »,
krijohet menjëherë një gjendje e habitshme letrare, mbase një situatë magjike krejt e papritur, si dhe një rast fatlum në letrat shqipe se si edhe kur ligjërohet poezia atdhetare, pushtuar nga malli dhe përgjërata e thellë, aq të pranishme dhe bubullitëse në poezinë shqipe gjithëkohorë dhe gjithëhapësinore, ka gjasa dhe shanse që të ndërtohet një realitet i fuqishëm letrar, një realitet artistik që i kapërcen parullat dhe antiparullat e rëndomta, aq ta pranishme ne poezinë e socrealizmit dhe të antisocrealizmit. Në këto vargje spontane dhe origjinale, të lidhjes me dheun dhe trojet, vendlindjen dhe gjithçka që ta përkujton atdheun, prekim ndjesinë e hollë të metamorfozës (ndryshimeve të thella), që e pëson heroi lirik, i cili është i gatshëm, natyrisht që për hir të atdheut të jetë bar, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe të gjelbërimit, të ditëve më të mira, por fare pranë tij ai, heroi lirik ndjehet mirë edhe si farë, e cila garanton përtritjen e barit, pra të pranverës dhe nëpërmjet saj të vetë jetës, natyrore dhe njerëzore. Prania e këtyre dy elementëve të natyrës, nga më jetikët për ndryshime dhe përmbysje, që në fakt janë ato që sigurojnë dhe dëshmojnë përtrimjen, rilindjen e përhershme dhe të pashmangshme, të natyrës dhe të vetë njeriut, është shenjë e qëmtimit poetik, për ta kërkuar dhe shenjëzuar magjikën atdhetare në formësime interesante, të befta dhe shenjuese, që të ngacmojnë në thellësi të shpirtit dhe mendjes. Bari dhe fara, më vetë po edhe të ndërlidhura, të cilat mund të kundrohen dhe formatohen, në një kuptim të ngushtë edhe si dy simbole përfaqësimi jetëdhënëse, të jetës që e vijon ekzistencën e vetë edhe në kushtet e privimit dhe ndalimit të shanseve të gjallimit natyral, posaçërisht në këtë strofë hyjnë edhe në pikëpërputhje rime, madje të një rimimi të kryqëzuar, i cili e shpërfaq tashmë të plotësuar ndjesinë e poetit, mbi atë proces të dobishëm dhe të patjetërsueshëm të lidhjes me vendlindjen dhe me atdheun përgjithësisht, të asaj lidhje të patjetërsueshme që shpërfill edhe kufijtë e jetës, mbase edhe të jetës së përmatanshme. Janë këto dy elementë, pra të një situimi të pranëvënë dhe të prejardhur, të jetës dhe vijimësissë së saj të pakëputur, padyshim si dy elementë real dhe figurues të ndjesive të brishta, të cilët na zbulojnë botërisht edhe krenarinë e poetit për origjinën e tij, që të lidhur ngushtë me rrethanat baritore dhe malore, me mjedisin ku ka kaluar fëmijërinë e largët, gjë që i jep poezisë dhe këtyre vargje një ton të pastër bukolik. Po ashtu, në këtë ton dhe ngjyrim tejet të ngritur, poeti shpërfaqet edhe në strofën e dytë:
« Kur të vdes le të bahem ujë
e fryma eme avull,
në fusha do të bie si shi. »,
të cilat duket qartë se e rimarrin situatën e mëparshme, pra të formuluar në strofën e parë, veçse këtu tashmë në një gjendje tjetër, madje krejt të përmbysur, sidomos po të nisesh nga prania e elementëve ujë dhe shi, që shënojnë diçka tjetër, të ndryshme nga elementët e parë, por edhe duke e tonifikuar me një ritmikë tjetërsoi, madje të një situimi më dinamikë tonifikuese dhe të pandërprerë. Në këtë strofë, si edhe e para me tercinë, ndjejmë dhe prekim se si heroi lirik transformohet (ndryshohet), në dy gjendje të tjera dhe krejt të reja:
Së pari: Bahet ujë, kuptohet një gjendje lëndore më diunamike se të parat, së paku në rrafshin sipërfaqësore, sepse duket dhe prket lëvizja, siç e përthekson vetë ai, sepse uji është jeta, është gëzim, është vetë vazhdimësia e saj, si burimi i vetëm dhe i patjetërsueshme i gjallimit, si një simbolikë tjetër e vazhdimësisë dhe e pambarimësisë së jetës. Ujë, në këtë situatë poetike, domethënëse dhe të papritur, të ngjeshur dhe koncize, më tepër sesa shenjë konkrete, mbart dhe fsheh një mesazh dhe imazh të pakrahasueshëm të domosdoshmërisë së jetës së larmishme, në lëvizje të pandërprerë.
Së dyti: Poeti pranon të jetë shi, një gjendje siprore e mbijetesës së gjithçkaje, si shans dhe mundësi për të mos u ndërprerë rrjedha e ujit, rrjedha e ujit si prani, si frymë dhe padyshim si forcë e pamposhtur e qenies, një simbolikë tjetër e madhnueshme e dinamikës dhe pamposhtshmërisë së qenies njerëzore dhe të vetë mjedisit natyror, edhe pse larg atdheut, larg vatrës ku jeta dhe fryma njerëzore fuqizohen dhe marrin krahë të pafrenueshëm. Në këtë rast fuqizimi i pranisë së heroit lirik, pra të vetë poetit, edhe si ujë, por edhe si shi, pra si një lëndë e lëngshme dhe viskoze, me një fjalë si lëvizje dhe dinamikë, i jep poezisë për atdheun një ritmikë tjetërsojshëm, mbase një melodi të përveçme të mallit dhe shenjimit të vendlindjes. Në këtë strofë, tronditëse dhe përtimëse, me po atë ritmikë dhe figurshmëri, vihet re, natyrisht nëse kundrohet dhe shqyrtohet ma vëmendshëm se ka humbur dhe është bjerrun enkas rima formale, por është ruajtur dhe shprehur ca më shumë lidhja logjike, e mbi të gjitha është thelluar përmasa e dukjes dhe shpërfaqjes së heroit lirik, tashmë si ujë dhe shi, pra si një dyfishim lëvizjeje dhe dinamike, duke e rritur gradacionin shprehës në caqe letrare të magjisë së papranishme fort shpesh në letrat shqipe. Kjo ndjesi e thelluar, e pranisë dhe paparanisë së heroit lirik, të krijohet fuqishëm përpara sush edhe kur ndesh në vargjet e strofës së tretë:
« Kur të vdes le të bahem gur
në skajin e vendit tem
të qindroj kufi, » (2000 : 181).
Duket qartë se në strofën e tretë të poezisë, tashmë kemi një përmbysje të plotë semantike, mbase një gjendje krejt të re, që tenton dhe rrok gadishmërinë e heroit/poetit lirik, pra të vetë autorit/njeriut, që për hir të atdheut është gati të kryejë edhe sakrificën më sublime, mbase duke e ridimensionuar kështu heroin lirik në një dëshmor për hir të atdheut dhe të lirimit të tij prej prangave të çfarëdo ngjyre dhe sundimi. Me pranimin e heroit lirik/njeriut të përmalluar që të bëhet gur, pra një element që simbolizon dhe përfaqëson forcën, apo me simbolikën e cakut të ndarjes midis shteteve, pra një kufi i pastër duket sikur nuk mjaftojnë shpërndërrimet e mëparshme, metamorfozat e barit dhe farës, ujit dhe shiut, të cilat shërbejnë edhe si paralelizim i pranisë së dyfishtë të poetit, pra kryekëput në një shumëfishim pranie, por për atdheun do të duhet edhe një ndryshim më i madh, mbase një përmbysje e thellë dhe e plotë, gatishmëria e sakrificës sublime, të cilën poeti nuk heziton që ta realizojë, madje e paraqet me krenari dhe forcë letrare në mendimin përmbyllës të poezisë. Në këtë rast, kemi një rimë të përgjysmuar, pra jo të plotë sepse në fjalët gur dhe kufi, është i përbashkët vetëm tingulli -u, por përputhshmëria ndërmjet vargjeve të parë dhe të tretë të poezisë, tanimë është plotësuar edhe prej semantikës që i ndërlidh këto dy fjalë, të cilat shprehin një gjendje të pikës që ndan dhe bashkon popujt, kombet dhe shtetet në këtë jetë. Pranëvënia e mallit të mërgimtarit, një malli të përveçëm dhe tejet tronditës, që e ka shoqëruar përgjithësisht poezinë shqipe gjithëkohore, me dashurinë për atdhe, veçse edhe me notat e një lirizmi të brendshëm dhe të thellë, mbase më tepër të një lirizmi tronditës, më së shpeshti, që nganjëherë dhe krejt padashje rrëshqet edhe në binarët e pesimizmit vetmitar, duke e paraqitur heroin lirik/njeriun e mërguar padrejtësisht, të mbytur në shkretimin dhe nakthin e pritjes së gjatë, e pritjes stërmunduese të mërgimtarit, të drobitur dhe pa një grimë shprese. Pritjes me shpresën e kotë se një ditë do të kthehet në dheun amë, mbase e pritjes se një ditë do të ndryshojnë rrethanat që e pengonin poetin të shkelte në vendin e vetë, të cilin e braktisi nga dashuria për të mos e humbur plotësisht, si dhe u përvëlua dhe u shua nga dëshira për ta parë. Krijimi i një tabloje tërësore, të plotë dhe vibruese, magjike dhe shenjuese, vetëm në tre strofa dhe nëntë vargje, pra me një koncizitet të pazakontë dhe munguar përgjithësisht në letrat shqipe bashkëkohore, duke i dhënë kështu një ngjyrim të pastër filozofik dhe madhështor, etik dhe estetik, megjithatë pa kurrfarë mburrjeje, sidomos nëpërmjet elementëve të natyrës, madje të njohura dhe të prekshme për çdo lexues, duke zënë fill me barin dhe farën, si shenja baritore dhe bukolike, e duke vijuar më tej me ujin dhe shiun, pa të cilat është gati e pamundshme të ekzistojë vetë jeta, për të ardhur mandej tek guri dhe kufini, si marrëdhënie logjike të ndarjes dhe përbashkimit ndërmjet shteteve dhe popujve, midis jetës dhe amshimit, midis frymës dhe lëndës përmtrimëse, është tregues më domethënsë i vlerave letrare që ka endur dhe realizuar poeti, aq bukur nga ana letrare, me bindjen se atdheu, i shëmtuar apo i bukur, është një gjurmë që nuk mund të shqitet në jetë të jetës, nga mendja dhe shpirti i qenies. Janë këto ndjesi, krejt të brishta dhe tronditëse, njerëzore dhe më përtej këtyre ndjesive, të marrëdhënies së çuditshme me atdheun e ndaluar dhe të munguar, mbase me atdheun e mohuar padrejtësisht, që e bëjnë poezinë të tillë, shenjë të brengës dhe përmallimit autorial, shenjë dhe shpalim të krenarisë dhe sakrificës sublime, shenjë të adhurimit dhe këngëtimit të mbytur në përmallim për tokën dhe gjithçkaje tjetër që i përket atdheut, të lënë larg, syrit dhe zemrës, me përdhunë dhe dhimbje të parrëfyer. Madje, në një situata kaq të ngjeshur, nëpërmjet kundërvënies logjike të dy elementëve poetikë, e shtirë si situim poetik në të gjithë vjershën, autori përvijon një dashuri të dyfishtë, njëkohësisht dëshpërimin prejse është larg dhe adhurimin e pa kufij për atdhe. Kështu në strofën e parë fjalës bar i kundërqëndron dhe i pikëpërputhet fjala farë, duke serenditur edhe një shenjëzim melodik të prekshëm, që evidenton edhe tharmin filozofik të vijimësisë së jetës, natyrisht të jetës në çdo përmasë, përmes një transformimi të pandërprerë. Në strofën e dytë të kësaj poezie lakonike, stilistikisht dhe poetikisht kundërvihen dhe kontrastojnë përballë njëra – tjetrës fjalët ujë dhe shi, një panëvënie kjo e beftë dhe logjike, të cilat kuptimisht realisht nuk e përmbysin sho – shoqen, përkundrazi ato janë në marrëdhënie të prejardhura, ndonëse nuk e kanë shenjën e muzikalitetit të plotë dhe të përputhur, porse ndërlidhnia e tyre buron vetëm nga brendësia e qëllimit. Kurse strofa e tretë shenjohet si kundërvënie dhe pëqrputhshmëri në mes fjalës gur e kufi, si dhe përmbysjes kuptimore në mes fjalëve bahem dhe qindroj, duke zgjeruar kështu mjaft ndjeshëm semantikën dhe shprehësinë e poezisë. Leximi dhe rileximi i kësaj poezie, në dimensionin e përmallimit, si mërgimtar dhe i dëshiruar për të ardhur në dheun amë, si një njeri që pavarësisht çfarë ka ngjarë ai vazhdon që ta adhuojë atdheun, shtresëzimin e shumësisë kuptimore, fibrimet figurative aq të larme, krijon shansin për një pafundësi interpretimi dhe përjetimesh emocionale dhe estetike. Kjo ngjet, siç nënvizon vetë autori në vitin 1989, me një poezi atipike, pra një poezi jashtë natyrës së Camajt, po të merret në konsiderata dhe shqyrtim e gjithë poezia tjetër, e tjetërsojshme autoriale, megjithatë një poezi që spërkatet me shenjat e kreativitetit letrar në mënyrë të magjishme edhe kur i këndon atdheut të munguar, pa dëshirën e tij. Edhe në këtë rast, të pranishëm dhe të zakonshëm në letrat shqipe, mjeshtri i fjalës shqipe, përsëri funksionon vetëm poetikisht, sepse vargjet e kësaj poezie qëndrojnë sikur një kurorë mbi ballin e atdheut, përjetuar dhe skalitur nga një zë origjinal i shkrimit poetik.