Rey Manaj debuton me gol, i jep barazimin Albacetes

18.08.2018 14:25:55

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj u transferua këtë verë përfundimisht te skuadra spanjolle e Albacetes, që militon në Secunda Division. Ish futbollisti i Interit e nisi menjëherë me gol aventurën e tij te skuadra spanjolle, pasi shënoi që në takimin e parë, të luajtur mes Albacetes dhe Deportivo La Corunës.

 

Manaj u aktivizua në minutën e 76’, vetëm 5 minuta pasi Deportivo kishte kaluar në avantazh dhe trajneri i Albacetes kërkonte golin e barazimit. Në minutën e 85-të, arbitri akordoi një penallti të çuditshme për vendasit, që u pasua me protesta të shumta dhe karton të kuq për danezin Krohn-Dehli, por sulmuesi lushnjar u tregua i ftohtë dhe i saktë para portierit mik, duke shënuar golin e barazimit.

Sfida përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Manaj bëhet lojtari që shënon golin e parë për Albaceten në këtë sezon të ri, me shpresën se do të shënojë edhe shumë të tjerë në vijim.