MASS-MEDIA E PAPËRGJËGJSHME VAZHDON I NJËJTI AVAZ I PËRDORIMIT TË EMRIT TË SHISH, DUKE SHKELUR STRATEGJINË E SIGURISË KOMBËTARE DHE KËRKESAT E INSTITUCIONIT…!

19.08.2018 13:38:36

Media të kuptojë një herë e mirë se çdo referim pa bazë e pa vend në emrin e Institucionit, në dokumente të pretenduara të Shërbimit Informativ i Shtetit (SHISH), në format e metodat e punës së SHISH, kërcënon rëndë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ky lloj Institucioni duhet zënë sa më pak në gojën e gazetarucave (analfabetë të sigurisë kombëtare) dhe duhet lejuar të bëjë në qetësi punën e vet, të cilën e bëjnë më përkushtim dhe vetmohim nënpunësit dhe bashkëpunëtorët e Institucionit.

Luan HAMITI

Gazeta online Pamfleti.net nxjerr një titull senzacionalist më datën 16.08. 2016:”Këshilltari i Presidentit Ilir Meta spiun i rusëve, SHISH dhe shërbimet partnere zbulojnë dhe vënë nën përgjim Arben Cicin. Shumë sekrete iu dhanë Rusisë”, duke pohuar se këshilltari në fjalë është bashkëpunëtor i shërbimeve rusë.

Unë nuk mund të përcaktoj nëse ky person është apo jo i tillë. Por shkruaj këtë shkrim duke ndarë një shqetësim legjitim. Edhe nëse është e vërtetë ky lajm, publikimi i materialit rrezikon misionin potencial dhe nënpunësit e Institucionit.

Sepse i ekspozon para një rreziku të madh duke nxjerrë detajet e misioni potencial në publik! Mirë se s’keni nxjerrë gazetarucat e Pamfletit edhe emrat e agjentëve potencialë të SHISH apo të shërbimeve partnere që do ta kishin përgjuar këtë këshilltar… Se të tjerët gjëra i keni bërë!

Ky shqetësim legjitim është ndarë edhe pas Njoftimit për Shtyp të Kabinetit të Shërbimit Informativ i Shtetit, më 30 korrik 2018. “Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të pasqyrimit në media të informacioneve apo të dhënave që pretendohet se u referohen dokumenteve të hartuara nga SHISH-i ndër vite. […]SHISH-i nënvizon me forcë se përdorimi i emrit të Shërbimit dhe referimi për format e metodat e punës së tij, me synimin për të siguruar besueshmëri të shtuar të deklaratave apo akuzave në media dhe opinionin publik, sjellin një cënim të ndjeshëm të aktivitetit të komunitetit të inteligjencës. Ato rrezikojnë të ndikojnë aftësinë e Shërbimit Informativ për garantimin e sigurisë kombëtare.”.

Jo për kot, edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë thuthet në Nenin 28.7 se një rrezik ndaj sigurisë kombëtare është dezinformimin e opinionit publik: “Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë që thotë se një rrezik për sigurinë është dezinformimin e opinionit publik! “Dezinformimi i opinionit publik favorizon destabilitetin. Informacionet e pasakta krijojnë në mënyrë të qëllimshme, ose jo, situata pasigurie, frike e tensioni të panevojshëm dhe shpesh mund të çojnë në reagime publike dhe marrje vendimesh të padrejta. Si i tillë dezinformimi i opinionit publik përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë”

Media të kuptojë një herë e mirë se çdo referim pa bazë e pa vend në emrin e Institucionit, në dokumente të pretenduara të Shërbimit Informativ i Shtetit (SHISH), në format e metodat e punës së SHISH, kërcënon rëndë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ky lloj Institucioni duhet zënë sa më pak në gojën e gazetarucave (analfabetë të sigurisë kombëtare) dhe duhet lejuar të bëjë në qetësi punën e vet, të cilën e bëjnë më përkushtim dhe vetmohim nënpunësit dhe bashkëpunëtorët e Institucionit. Çdo veprim tjetër është antikombëtar dhe i dënueshëm edhe me ligjet në fuqi!

Tiranë, 19.08.2018