Mbrojtësi kuqezi, Inter hap thesin për blerjen e bujshme prej 20 milionë euro

15.01.2020 19:55:00

Marash Kumbulla është një nga emrat më të nxehtë në këtë merkato dimri, një nga lojtarët më të kërkuar në Serie A dhe në Premier League. 20-vjeçari kuqezi po mahnit me formën e tij duke tërhequr gjithnjë e më shumë interesimin e klubeve më të mëdha europiane. Mediat italiane vijojnë të insistojnë, ky pritet të jetë sezoni i tij i fundit me fanellën e Verona, skuadër e cila e ka të pamundur të mbaj një xhevahir të tillë.

“La Gazzetta dello Sport”, vjen me një version të ri dhe bindës për të ardhmen e futbollistit të përfaqësueses kuqezi. Kumbulla është shndërruar në objektivin kryesor të Interit, një lojtar për të cilin klubi ziklatër kërkon ta rezervoj sa më shpejtë të jetë e mundur. Të martën, Gianni Vitali, agjenti i Kumbullës, me bekimin edhe të Veronas, ka takuar drejtuesit e Interit për të diskutuar mbi të ardhmen e qendërmbrojtësit.

Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, Verona dhe Inter kanë gjetur akordin total ndërmjet tyre, me klubin ziklatër që duhet të plotësoj vetëm dy kushte: Kumbulla duhet të qëndrojë tek Verona deri në fund të sezonit, kushti i dytë, Inter duhet të paguajë 20 milion euro. Inter nuk pritet të negociojë gjatë mbi shumën pasi së bashku me Vitali, në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Stefano Castagna, i deleguari i Veronës për të negociuar me klubet angleze, ku Kumbulla ka zgjuar interesimin e Chelsea, United dhe Everton.

Inter është i bindur mbi aftësitë e Kumbullës, i cili nuk do të ketë problem as të përshtatet në Milano. Tek Verona është që tani një lider në mbrojtjen me tre, skemë të cilën aplikon dhe Conte.