Më 1 qershor hapen plazhet/ Asnjë masë nga Bashkia Himarë, jugu i ngrirë para sezonit

29.05.2020 16:14:08

Qeveria ka vendosur hapjen e plazheve më datën 1 qershor. Një vendim që duket si një garë me vendet e rajonit se kush i hap më parë plazhet, me synimin e thithjes së turistëve nga vendet e rajonit apo të Europës. Edhe pse në këto kohë pandemie në zonat bregdetare të Shqipërisë mund të ketë më tepër pushues vendas, pra duke iu rikthyer turizmit patriotik.

Por edhe pse kanë mbetur dy ditë nga hapja e madhe, operatorët dhe firmat nuk e kanë të qartë se si do të veprohet me shfrytëzimin e plazheve, të hapësirave që do të lihen për publike apo private.

Bashkia Himarë që ka në administrim pjesën që njihet edhe si perla e Shqipërisë të pjesës së bregdetit, edhe pse dy ditë larg 1 qershorit nuk ka marrë asnjë masë për mënyrën se si do të veprohet për sezonin turistik. Deri më tani nuk është dhënë asnjë leje për hotelet apo kryer një pastrim të plazheve, por nga kjo bashki ka vetëm sorollatje dhe burokracira.

Ndërsa ende ska vendime përfundimtar, po lihet shumë hapësira për abuzime, ku përveç të tjerave plazhet që janë nën administrimin e bashkisë së Himarës, ku sipas ligjit duhet të jenë ndara 50 për qind t’i jepen privat dhe pjesa të tjera janë publike. Për shembull zona e Llamanit nuk ka asnjë plazh publik.

Dhënien e hapësirës të plazheve, bashkitë duhet të zbatojnë vendimin e qeverisë Rama të marrë në vitin 2019,  “Për miratimin e rregullores “për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.

“Ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar si plazh privat/publik do të bëhet proporcionalisht, sipas raportit 80%/20% dhe në mënyrë perpendikulare me vijën bregdetare. Hapësira e çdo plazhi (publik ose privat) kufizohet me vijën bregdetare.  Harta e përgjithshme hartohet nga një grup pune i drejtuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse, në përbërje të së cilës ka përfaqësues nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe miratohet, brenda muajit janar, me vendim të këshillit bashkiak”, thuhet në këtë vendim të qeverisë.

Sipas këtij vendimi njësitë e vetëqeverisjes vendore, deri në datën 31 mars, të çdo viti, duhet të kenë lidhur të gjitha kontratat e qirasë për përdorimin e plazheve. Plazhet për të cilat nuk është lidhur kontratë deri në këtë datë, do të funksionojnë si plazhe publike. Por bashkitë akoma nuk i kanë kryer këto plane, edhe pse në kushtet e krijuara nga pandemia e Covid-19 parashikohet një model i ri i administrimit të plazheve.