Mehmet Krasniqi: Kryetari i Obiliqit, jep në shfrytëzim 23 hektarë tokë komunale, në kundërshtim me interesin e qytetarëve

28.07.2016 21:36:40

I ndodhur në situatë kur mandatit të tij qeverisës,po i vie fundi dhe duke e ndjerë që s’ka asnjë gjasë as teorike që të rizgjedhet(për shkak të keqqeverisjes dhe mashtrimeve që u ka bërë qytetarëve), kryetari i Obiliqit Xh.Gashi ka vendosur që thuajse krejt tokën në pronësi komunale ta jap në shfrytezim afatgjatë, për një shekull(100 vjet). Ai këtë po e bën duke siguruar voten paraprakisht nga individ e subjekte të caktuara, që u joshën, mbase edhe për shkak të kësaj toke, që të bëhen pjesë e veprimeve të tij shumë të dëmshme për qytetarët dhe komunen tonë.Ai këtë po e bën duke mos qenë fare transparent, duke mos e ndjerë të nevojshme që të realizojë të paktën një takim me ata qytetarë që jetojnë në afërsi, e që do të pësojnë si dhe duke mos qenë i gatshëm në asnjë mënyrë që me kritere të ndalojë investimet eventuale që ndotin akoma më shumë mjedisin e rënduar në komunën tonë. Kjo del edhe më ironike, kur dihet kinse angazhimi i tij për të kritikuar KEK-un, që po e ndotë ambientin.
Këto dhe fakte tjera, sikur lënë me dyshue që ai paraprakisht është marr vesh me ndonjë investitor, qoftë edhe me të tillë që me veprimtarinë e vet, ndotin ambientin dhe mjedisin në përgjithësi.
Duket që krejt kjo i përgjigjet thënies popullore ,,aksham pazari” sepse ai dëshiron që në këtë kohë sa i ka mbetur deri në fund të mandatit, të bëjë çdo veprim të mundshëm edhe për interesa personale, duke mos e lodhur kokën fare që veprimi është plotësisht në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe komunës në përgjithsi. Ftoj këshilltarët komunal, që pa dallim partie, të kundërshtojnë vendosmërisht këto veprime abuzive të kryetarit sepse një ditë kanë për tu gjykuar për veprimet e veta të papërgjegjshme!