Memorandum për njëjtësimin e pagave të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë

14.10.2016 10:57:08

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar Memorandum mirëkuptimi, lidhur me unifikimin e pagës, primare dhe sekondare, për stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, të cilët ushtrojnë shërbime shëndetësore të nivelit terciar.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani falënderoi ministrin  e Arsimit dhe rektorin e UP-së, të cilët kanë përkrahur idenë për pagat e profesorëve dhe asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është hap i rëndësishëm, pasi profesorët do të marrin një pagë të unifikuar për ligjërim, si dhe për punën klinike që bëjnë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema tha se me nënshkrimin e këtij memorandumi do të zgjidhen shumë probleme.

Sipas tij, me këtë memorandum, studentët e UP-së do të fitojnë në mbajtjen e ligjëratave të praktikës.