Mërgimtarët ankohen për probleme gjatë aplikimit për zgjedhje

22.05.2017 13:39:06

Në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet e 11 qershorit, nga 15 maji ka filluar aplikimi i diasporës për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po kritikohet nga bashkatdhetarët, pasi që sipas tyre, ka shumë vështirësi për të aplikuar. Afati për aplikim të diasporës mbyllet sonte në mesnatë.

Hamit Zeqiri është një prej bashkatdhetarëve që është interesuar të votojë në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë. Zeqiri që është kryetar i konferencës së zyrave për integrim në Zvicër, thotë se ka provuar qe dy ditë t’i dërgojë formularët për aplikim por nuk ka arritur.

“Ajo mu duk sikur e qëllimshme, sepse në formular nuk shkruante se çfarë dokumentash duhet të dërgohen, vetëm shkruante dokumentat shoqëruese duhet të dërgohen, nuk shkruante se cilët. M’u dashtë të informohem privatisht nga njerëz dhe me treguan se duhet të dërgohet letërnjoftimi i Zvicrës dhe i Kosovës. Atë informatë nuk e pashë askund. Kjo është absolutisht e pakuptueshme”, tha Zeqiri për Radio Kosovën.

Ai thotë se kjo është irrituese, teksa kritikon KQZ-në për neglizhencë, por ka dyshime se prapa procesit teknik të organizimit të diasporës, qëndron aspekti politik.

“Këtu shtrohet një pyetje e aspektit politik, sa kanë interesa partitë, cilat kanë interesa të marrin pjesë diaspora në mënyrë sa më masovike. Unë mendoj se një pjesë jo e vogël e tyre, nuk e kanë atë interes, sepse diaspora ndoshta nuk do të sillet ashtu siç atyre iu pëlqen”, thotë Zeqiri.

Në KQZ kanë sqaruar se pengesa gjatë aplikimit të diasporës ka pasur gjatë ditës së premte, për shkak të ngarkesës së madhe të emailave të dërguara. Por, ata thonë se ky problem tashmë është zgjidhur. Zyrtarët e KQZ-së nuk kanë dhënë ndonjë shifër të aplikimeve të deri tashme, ndërsa sipas të dhënave të javës së kaluar,  kanë aplikuar afër dy mijë qytetarë nga diaspora.

Afati për aplikimin nga diaspora për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit është edhe sot deri në mesnatë. Hamit Zeqiri nga Zvicra thotë se do të bëjë përpjekje gjatë ditës që të aplikojë, ngase pjesëmarrjen e diasporës në këto zgjedhje e konsideron si shumë të rëndësishme.