Milazim, pse po përpiqesh t’i mbrosh ata që kanë për detyrë t’i realizojnë planet e Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës?

25.12.2016 12:04:38

Nga Rexhep Kastrati

Milazim Krasniqi qenka prekur shumë nga debatet në Kuvendin e Kosovës për çështjen e murit, të cilin e quan provokim simbolik, përkatësisht nga akuzat që janë bërë gjatë atij debati! Dhe pikërisht kjo është interesante në reagimin e Milazimit, sepse me këtë reagim, ai sikur përpiqet të përcjellë mesazhin që të mos bëhen akuza ndaj njëri-tjetrit, por të mjaftohen me faktin se planet për ndarjen e Kosovës na i paskan bërë serbët dhe rusët, e jo shqiparët! Kjo do të thotë se Milazimit po i djeg e vërteta, ngaqë planet serbe dhe ruse i kanë realizuar dhe po i realizojnë disa shqipfolës, përkatësisht disa subjekte politike pjesë e linjës sës Tiranës/Kretës.

Dhe kur Milazim Krasniqi sikur urdhëron që të mos debatohet, pra të mos akuzojnë njëri-tjetrin për ndarjen e Mitrovicës, dhe të mjaftohen se ka plane serbe e ruse për këtë çështje, atëherë shtrohet pyetja: si është e mundur që një ndër njerëzit më të besueshëm të presdientit Rugova, dhe njëherësh një ndër shpërdoruesit më të mëdhenj të këtij besimi, të shqetësohet kur pjesëtarë të linjës së Tiranës/Kretës ua nxjerrin të vërtetat njëri-tjetrit? Mos ka frikë se helbete po del edhe emri i tij në ndonjë qoshe të këtij debati? Milazim Krasniqi ka qenë një nga themeluesit e LDK-së, dhe sekretar i përgjithshëm e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili ka qenë i përfshirë në struktura të ndryshme të organzimit institucional të shqiptarëve. Fillimi i luftës në Kosovë, e ka gjetur si njeri të presidentit Rugova, kurse lufta dhe paslufta e ka gjetur në pozicione të ndryshme, apo të kundërta me të. Pra, Milazimi në gjithë hapësirën kohore ka qenë dhe është në dijeni të proceseve që kanë ndodhur edhe brenda lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci, edhe brenda Ilegales, e së këndejmi edhe ka qenë në dijeni të proceseve që sollën luftën dhe që e sollën në skenë linjën e Tiranës/Kretës. Unë nuk dua ta besoj se Milazim Krasniqi nuk e di se ka ndërlidhje ndërmjet anarkisë së vitit 1997 në shtetin shqiptar, dhe luftës në Kosovë, ashtu siç nuk e besoj se Milazimi nuk e di se Nano – Milosheviq në Kretë nuk janë takuar për të pirë kafe apo për të thënë se u takuam. Është e qartë se të gjitha këto ndodhën për të përmbysur organizimin politiko-institucional të shqiptarëve të Kosovës, për t’i hapur rrugë pikërisht skenarëve për ndarjen e Kosovës. Dhe këto plane që janë bërë në Serbi dhe në Rusi nuk janë bërë vetëm gjatë apo në kontekst të negociatave të Vjenës, por qysh herët, dhe tashmë dihet për planin e ish-kryetarit të ASHAS-it, Dobrica Çosiq në pjesën e parë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, sipas të cilit Kosova do të ndahej 40% për serbët dhe 60% për shqiptarët, e i cili i ishte paraqitur zyrtarisht edhe ndërmjetësve ndërkombëtarë për Bosnjën, Stoltenberg – Owen. E ky plan ishte refuzuar nga presidenti Rugova. Pra, angazhimet e Serbisë dhe të Rusisë kanë qenë të hershme për ndarjen e Kosovës, por këto ishin kundërshtuar nga organizimi institucional i saj, në krye me presidentin Rugova. Dhe anarkia e vitit 1997 ishte rruga që do të çonte edhe në një anarki në Kosovë. Qëllimi ishte ai që thashë më lartë: të prishej organizimi institucional i shqiptarëve të Kosovës, të kontestohej legjitimiteti i përfaqësimit të Kosovës dhe të interesave të saj nga presidenti Rugova, dhe t’u hapej rruga pjesëtarëve të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, që do ta ndanin Kosovën mbi baza etnike. Dhe këtu del përgjegjësia e shqipfolësve që po dalin të gjithë pjesëtarë të shërbimeve sekrete serbe dhe shërbimeve të tjera kundërshqiptare. Dhe është pikërisht kjo që kam thënë që 18 vjet me radhë: linja e Tiranës/Kretës, dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste dolën në skenë për ndarjen e Kosovës mbi baza entike, pra realizimin e skenarëve serbo – rusë për ndarjen e saj. Dhe kjo është përgjegjësia e tyre, e cila po zbardhet me akuzat e njëri-tjetrit e që u dëgjuan edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, edhe pse planet për ndarjen e Kosovës janë plane të Serbisë dhe të Rusisë, megjithatë Hashim Thaçi që u takua me Momçillo Trajkoviqin dhe popin Artemije që kishte rolin e Vulinit dhe të Gjuriqit, fill pas lufte, madje në cilësinë e kryeministrit, si dhe Bajram Rexhepi që takohej më Oliver Ivanoviqin dhe bisedonin për ndarjen e Mitrovicës, pra këta dy, ishin shqiptarë. Dhe është për të theksuar se Hashim Thaçi u takua me Momçilo Trajkoviqin dhe me popin Atemije në prani të Kushnerit, i cili më vonë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Francës, nuk kishte qenë kundër ndarjes së Kosovës.  Shqiptar është edhe Albin Kurti që publikisht ka platformën e njëjtë me të Boris Tadiqit, për ndarjen e Kosovës, dhe i cili e udhëheq një sektë okulte në të cilën nuk ka mundësi të kontetstohet fjala e tij. Dhe Milazimi nuk është aq i padijshëm sa të mos e dijë se Albin Kurti ka të njëjtën platformë sikurse të Boris Tadiqit për ndarjen e Kosovës, sepse i njeh proceset që kanë ndodhur dhe që po ndodhin. Po ashtu, Milazim Krasniqi e di se Serbia, sikurse gjatë dhe pas luftës, edhe tash është tepër e angazhuar për përmbysjen e institucioneve të Kosovës, vetëm pse udhëhiqen nga LDK-ja. Pra, Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë e interesuar që në Kosovë të mos ketë rol udhëheqës LDK-ja, por linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, sepse këta të fundit, janë produkt i shërbimeve sekrete serbe dhe të shërbimeve tjera sekrete kundërshqiptare, në funksion të ndarjes së Kosovës.

Kur bëhet fjalë për Ahtisarin dhe procesin që ka udhëhequr ai, e pra edhe për librin e tij, duhet thënë se në konkluzionet dhe në raportin shoqërues me të cilin është bërë propozimi për pavarësinë e Kosovës, është theksuar shumë ndikimi i ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit 2004, të cilat i bënë forca të organizuara shqipfolësish, përkatësisht pjesëtarë të linjës së Tiranës/Kretës. “Kush nuk bashkohet është tradhtar!” – ka qenë një nga parullat më të brohoritura sidomos gjatë 17 marsit 2004, dhe që ishte edhe një provokim i qartë për konflikt të brendshëm, pra edhe ndonjë luftë brendashqiptare. Po ashtu, zjarrvënësit e Kosovës gjatë vitit 2015 – 2016 ishin shqiptarë, sikurse që ishin shqiptarë edhe nxitësit dhe ata që publikisht ftonin për luftë dhe për gjakderdhje brendashqiptare. Pra, të gjitha këto i bënë disa shqipfolës të organizuar në forca politike. Në këtë kontekst, ajo që është e vërtetë është se planet e Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës po përpiqen t’i zbatojnë forca të organizuara politike shqiptare dhe medie e portale të organizuara dhe të kontrolluara nga ato, apo edhe drejtpërdrejt nga shërbime sekrete serbe dhe shërbime të tjera sekrete kundërshqiptare. Dhe kjo e vërtetë lidhje nuk ka me qasje mazohiste të vetëfajësimit. Përkundrazi, përpjekja e Milazim Krasniqit që të fshehë përgjegjësinë e shqipfolësve për realizimin e planeve të Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës, dhe për të lënë përgjegjësinë vetëm te Serbia dhe te Rusia, kjo po, është mazohiste në raport me linjën e Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste.  Kjo bën përshtypje për faktin se ai pra ka qenë një nga njerëzit e besueshëm të presidentit Rugova, dhe një nga personalitetet e rëndësishme të organizimit politiko-institucional të cilin e goditën pikërisht këta që po përpiqet t’i mbrojë ai. Dhe kjo të bën të kuptosh sesa thellë është implikimi i shqipfolësve në planet e Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës. Por, po ashtu, kjo bën të qartë sesa shumë punë, sesa shumë disiplinë politike dhe shtetërore, sesa shumë përkushtim duhet për të penguar shqipfolësit spiunë dhe rekrutë agjenturash serbe dhe kundërshqiptare që ta ndajnë Kosovën. Viti 2017 do të jetë vit përcaktues, dhe tepër sfidues. Nëse seanca e Kuvendit të Kosovës nxori kush janë milingonat e BIA-s serbe, viti 2017 do të shpërfaqë këto milingona në aksione tepër dinamike dhe tepër të dhunshme në përpjekje për të rrëzuar shtetin dhe për të hapur rrugë për ndarjen përfundimtare të Kosovës.