Milionerët jashtë kontrollit

21.07.2016 09:35:32

Qeveria e Kosovës nuk po ia del ti fus në sistem kompanitë që qarkullojnë miliona euro.

Deri më tani shitësit e derivateve të naftës kanë dëshmuar se janë më të fuqishëm se mekanizmat institucional. Shumica nga ta vazhdojnë të shesin derivate pa i dhënë llogari askujt.

Në nëntor të vitit 2012, ishte marrë vendim që të gjitha pikat e derivateve të naftës të pajisen me arka të veçanta fiskale, me qëllim të shmangies së evazionit fiskal.

Por, një gjë të tillë ende nuk e kane bërë pjesa më e madhe e rreth 700 pikavetë  karburanteve që shesin rreth 600 milionë litra naftë në vit.

Kjo bënë që naftëtarët të jenë të privilegjuar duke punuar pa pajisjen e veçantë e cila u lëshon konsumatorëve kupon fiskal, detyrim ky që bie mbi ta gjatë furnizimit me mallra dhe ofrim të shërbimeve.

Në Administratën Tatimore të Kosovës thonë për Gazetën Fjala, se këto biznese janë në proces të pajisjes me arka të veçanta fiskale, por që sipas ATK procesi i fiskalizimit dallon nga arkat e zakonshme, andaj edhe procedurat të cilat u nënshtrohen bizneset marrin kohë për licencim.

“Me qellim të finalizimit të instalimit të pajisjeve fiskale të veçanta të bizneset që merren me derivate të naftës, Departamenti i Operacioneve ka përgatit një planë operative të veprimeve në teren me qellim të fiskalizimit të këtyre bizneseve”, kanë thënë zyrtarët nga Divizioni për Komunikim Publik në ATK.

Katër kompani presin certifikimin

E një nga arsyet e zvarritjes së këtij procesi janë edhe katër kompani fiskale cilët sipas ATK-së janë duke pritur për fiskalizimin me paisje elektronike.

Ato ende nuk kanë arritur që të kalojnë testet në laboratorët teknik, si parakusht për ushtrimin e detyrave në terren.

“Service Global EU” SH.P.K (Kjo kompani nuk ka arritur të certifikoj sistemin fiskal ende në Laborator), N.T.” Global Trade” (Kjo kompani ende nuk ka arritur të certifikoj sistemin fiskal në Laborator), “BBROS” L.L.C (Kjo kompani ka arritur të certifikoj Arkën Fiskale në Laborator, mirëpo raportin nga Laboratori ende nuk e kemi pranuar ne si Komision), N.T.SH.  ” Enternet ” (Kjo kompani ka arritur të certifikoj Printerin Fiskal në Laborator, mirëpo raportin nga Laboratori ende nuk e kemi pranuar ne si Komision)”, thonë në ATK.

Ndërkohë që tri biznese të tjera janë ri-autorizuar nga ana e ATK-së.

Berjani: Procedurat janë duke shkuar në rregull

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për Gazetën Fjala se procedurat e fiskalizimit të naftëtarëve janë duke shkuar në mënyrën e duhur.

Ai thotë se presin operator të rijnë në treg.

“Procedurat nga ATK janë duke shkuar në rregull. Nuk janë procedura të zgjatura. Presim operatorë të rinjë në treg”, ka thënë ai.

Berjani ka thënë se shpreson që prjekti për fiskalizimin e naftarëve të përfundoj në gjysmën e vitit 2017.

“..Gjermania është njëri ndër shtetet më të mëdha ekonomike në botë dhe fillon fiskalizimin në vitin 2017. Në këtë ekonomi çfarë ne e kemi, besoj që ky projekt do të përfundojë në gjysmën e vitit 2017”, ka shpjeguar Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

Ndërkohë që drejtori i Instituit STRAS, Ibrahim Rexhepi kohë më parë ka thënë për Gazetën Fjala se fajtor kryesor për mos fiskalizmim të pikave të naftës janë vetë naftëtarët, të cilët sipas Rexhepit e kanë kundërshtuar ashpër procesin e fiskalizmit.

“Nuk do te thosha se ka qëllim ne zvarritjen e procesit te implementimit te fazës se dyte te fiskalizimit te pikave për shitjen karburanteve. Administrata Tatimore e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave është përballur me kundërshtime te ashpra te këtyre shitësve, kryesisht për shkak te kostos se larte dhe te monopolit qe kane kompanitë e licencuara për zbatimin këtij projekti. Ajo nuk ka zgjidhje te pranueshme, pro as guxim qe procesin ta shtyej përpara, pa marre parasysh rreziqet dhe pasojat”, ka thënë ai.

Ndryshe, të gjitha bizneset që janë në kuadër të njësisë së tatimpaguesve të mëdhenj, apo pjesa dërmuese e tyre ishin pjesë e fiskalizimit në fazën e parë, pasi që ata posedojnë nga një pajisje qoftë arkë apo printer fiskal.

Mirëpo, udhëzimi 12/2009, parasheh që bizneset që merren me tregtimin e derivateve të naftës, të fusin dhe pajisje specifike, që përveç përcjelljes në aspektin financiar, mundësojnë dhe përcjelljen sasiore të derivateve të naftës.

Ky është obligim ligjor, për këto biznese dhe të gjithë ata, që merren me tregtimin e derivateve të naftës, të cilët duhet t’i vendosin këto pajisje specifike