Ministri,Arsim Bajrami: Përkrahje e mësimdhënësve që të ngritët cilësia e edukimit

Ministri,Arsim Bajrami: Përkrahje e mësimdhënësve që të ngritët cilësia e edukimit

07.03.2017 10:28:42

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, në një intervistë për programin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka folur për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

Ministri Bajrami kujtoi brezat e mëhershëm të mësuesve që dhanë kontribut për arsimin shqip dhe përmendi sfidat që kanë pasur ata në edukimin e brezave. “Kujtojmë mësuesit e viteve 90-të dhe 99-ta kur mësimdhënësit mbijetuan karshi gjenocidit, karshi dhunës serbe, organizuan shtëpitë shkolla dhe mundësuan ruajtjen e rinisë tonë karshi sfidave që kishte”, tha minstri i Arsimit.

Për mesazhin drejtuar mësimdhënësve në ditën e tyre i pari i Ministrisë së Arsimit përmendi përkrahjen për mësimdhënësit si dhe definimin e kërkesave karshi mësimdhënësve që ata të mobilizohen dhe të ngrisin cilësinë e edukimit të nxënësve. Në këtë proces Bajrami përmendi edhe sistemin e gradimit të mësimdhënësve që siç tha ai, ka filluar tani, në mënyrë që të rritet performanca e mësimdhënësve.

Ministri Bajrami përmendi edhe numrin e madh të studentëve të interesuar për të studiuar në Fakultetin e Edukimit si një ndër fakultetet më të kërkuara dhe përmendi faktorët relevant pse shumë nxënës drejtohen që të zënë një vend në këtë fakultet. “Janë disa faktorë: faktori i parë është paga relativisht e mirë për kushtet kosovare, pastaj autonomia e mësimdhënësve si dhe orientimi gjinor”, sqaroi ministri Bajrami.

Por në këtë aspekt ministri deklaroi se pranimet në këtë fakultet janë duke u rritur dhe ka kritere të larta për të gjithë ata që duan të bëhen mësimdhënës, duke bërë me dije që vetëm studentët e përgatitur mirë profesionalisht do të kenë mundësinë të bëhen mësues.

Ai tregoi edhe për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve që do të bëhet për punën që ata kryejn duke treguar se kjo është pritur mirë nga ana e tyre. Ky vlerësim tha ministri se do të bëhet në tërë territorin Republikës së Kosovës. Por një faktorë kyç në këtë proces ministri përmendi edhe bashkëpunimin e prindërve me mësuesit dhe rritjen e kërkesave të tyre karshi mësimdhënësve në mënyrë që të rritet cilësia e arsimimit të fëmijëve.

Ministri Bajrami përmendi se në arsim po bëhet një ngritje graduale e cilësisë. Në këtë drejtim ai përmndi edhe përgatitjet që po i bënë MASHT-i për testin ndërkombëtar të PISA-s, ku siç tha ministri “do të bëjmë një simulim për PISA me 600 nxënës dhe parapërgatitjet”, në mënyrë që të jemi në nivel me rajoni.

Si ju përket kushteve të punës në të cilat mësimdhënësit zhvillojnë veprimtarinë e tyre i pari i MASHT-it tha se nuk janë ende të kompletuara siç duhet, por tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

Për kërkesat e Sindikatës së Arsmit, ministri tha se kanë një bashkëpunim të mirë me ta në procesin e ngritjes së cilësisë në arsim.