Mogherini për Vuçiqin: Nuk guxon të përsëritet ajo që ndodhi dje

27.03.2018 22:41:15

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, tha gjatë bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se ngjarjet e së hënës në Kosovë nuk guxojnë të përsëriten dhe se BE pret ruajtjen e paqes, përmes një qasje të matur dhe përmbajtje.

“Vuçiq dhe Mogherini u takuan të martën në mbrëmje në Beograd për të biseduar, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, për zhvillimet e fundit dhe perspektivën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së”, ka njoftuar Departamenti për marrëdhënie me media i presidentit Vuçiq, raporton REL.

Ndërsa kabineti i Mogherinit lëshoi ​​një deklaratë për shtyp ku thuhet se “përfaqësuesja e lartë e BE-së, në një bisedë me presidentin Vuçiq shprehu keqardhje lidhur me ngjarjet në Kosovë”, përcjell Telegrafi.

“Ajo që ndodhi dje nuk guxon të përsëritet. Bashkimi Evropian pret paqe, mençuri, përmbajtje dhe udhëheqje”, citohet të ketë thënë Mogherini.

“Bashkëbiseduesit janë dakorduar të gjejnë mënyra të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhjen e problemeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore”, thuhet në kumtesë.

Në kutmesë gjithashtu thuhet se në bisedë përmbajtësore dhe të frytshme, presidenti Vuçiq dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, kanë konstatuar se “është në interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë të ruajë stabilitetin, paqen dhe progresin drejt Bashkimit Evropian”.

Mogeherini arriti sot në Beograd në mënyrë që me presidentin e Serbisë të bisedojë për perspektivën e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, pas arrestimit të Marko Gjuriqit- shefit të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.