Montager humb jetën në lumë pa ndërhyrjen e policisë

17.09.2016 09:36:15

Ka humbur jetën në mënyrë tragjike, aktori i njohur i telenovelave braziliane. Domingos Montagner është mbytur në lumin ku po xhirohej telenovela më e famshme braziliane, “Velho Chico”.

BBC shkruan se aktori 54-vjeçar, pasi kishte mbaruar xhirimet, ishte futur në lumë për të notuar së bashku me kolegen e tij, Camila Pitanga, por është rrëmbyer nga rrjedha e lumit dhe ka humbur jetën.

Pitanga menjëherë kishte kërkuar ndihmë, por policia vendase nuk ndërhyri për të shpëtuar 54-vjeçarin, pasi menduan se aktorët po xhironin një skenë filmi.

Më pas, policia nxori trupin e Montagner, rreth 300 metra larg vendit ku ishte mbytur. Aktori i njohur i telenovelave, Domingos Montagner ka lindur në San Paolo dhe përpara se të bëhej aktor punonte në cirk.

54-vjeçari ishte i martuar prej 14 vjetësh me aktoren Luciana Lima, me të cilën kishte 3 fëmijë.