MPJ mbledhje komemorative për diplomatin Xhafer Ahmeti

25.06.2018 14:36:27

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka organizuar një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në nderim të diplomatit, Xhafer Ahmeti, i cili ndërroi jetë para disa dite.

Në këtë tubim kanë marrë pjesë personalitete të larta vendore e ndërkombëtare, familjarë të të ndjerit dhe kolegë nga MPJ.

Me këtë rast, ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi, ka shpalosur kujtime nga veprat dha angazhimet e të ndjerit Ahmeti gjatë karrierës së tij në diplomaci dhe në përgjithësi kontributin e tij në shtet ndërtimin e Kosovës.

Në vazhdim, me një fjalim për rolin Ahmetit si një diplomat i suksesshëm ka folur edhe zëvendëskryeministri dhe ish ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, duke e kujtuar Ahmetin si një personalitet me shkathtësi dhe përgjegjësi të larta shtetërore.

Xhafer Ahmeti së fundi ka qenë diplomat i Republikës së Kosovës në Mal të Zi dhe për shumë vjet ka drejtuar Protokollin e Shtetit. Ai, ka qenë njëri nga diplomatët e parë pas pavarësisë.

Ahmeti ka ndërruar jetë të enjten, më 21 qershor, 2018 në moshën 52 vjeçare.

Pas vetes ka lënë gruan dhe dy djem.