Ndahet çmimi për demokraci 2017

19.12.2017 18:59:01

Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), sonte kanë ndarë çmimin për demokraci 2017, të cilin e kanë marrë Murat Mehmeti dhe portali Insajder.

Drejtori i Zyrës zvicerane për Kosovë, Patrick Etienne, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e fituesve të çmimit për demokraci 2017, duke theksuar nevojën për një shoqëri civile më aktive, e cila shtyn qeverinë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

Drejtoresha ekzekutive e KCSF-së, Venera Hajrullahu, tha se çmimi vë në dukje punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit dhe se ky çmim iu ndahet atyre që u përballën me sulme dhe kërcënime.

Murat Mehmeti, i cili ka denoncuar një skemë mashtrimi dhe evazioni fiskal në Administratën tatimore, tha se për 17 vite ka punuar në zbatim të ligjit dhe gjithherë është munduar të bëjë më të mirën për Kosovën.

“Përpjekjet tona jo çdo herë shkojnë paralel me të tjerët dhe kështu mund të hasim në probleme”, u shpreh ai.

Vehbi Kajtazi nga portali Insajder, tha se ky është çmimi më i rëndësishëm që ka marrë deri më tani. Ai tha se kur e ka nisur Insajderin nuk ka menduar shumë për demokracinë, por për të ndërtuar një medium kredibil.

Ndërsa, gazetari Parim Olluri tha se Insajderi është i vogël në moshë, por “i madh për njerëzit e korruptuar”.

“Që kur kemi filluar, jemi përballur me shumë sfida, duke filluar nga shkëputja e kontratave të marketingut e deri te sulmet fizike”, tha ai.