Ndalohen dhjetëra migrantë në tentativën për të kaluar ilegalisht në Greqi

24.06.2017 16:05:21
Ekipe të xhandarmërisë turke kanë kryer aksion në lokacionin Dalyan, afër Ayvacik-ut, dhe ndaluan së paku 46 persona, ndërsa bëhet fjalë për migrantë me origjinë nga Afganistani, Siria dhe Somalia
Në vendin Ezin afër provincës turke Çanakkala janë kapur 46 shtetas të huaj të cilët në mënyrë ilegale tentuan të kalojnë në ishullin grek Lesbos, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipe të xhandarmërisë turke kanë kryer aksion në lokacionin Dalyan, afër Ayvacik-ut, dhe ndaluan së paku 46 persona, ndërsa bëhet fjalë për migrantë me origjinë nga Afganistani, Siria dhe Somalia.

Janë kapur edhe dy shtetas turq Y.Z dhe A.O.A për të cilët është konfirmuar se janë organizatorë të kalimit të migrantëve në Greqi. Migrantët janë transferuar në Qendrën lokale për kthimin e të huajve.

Deti Egje dhe Mesdhe janë pjesë e rrugës së migrantëve në kërkim për një jetë më të mirë. Megjithatë, “rruga e tyre e shpresës” shpesh herë përfundon me epilog fatal. Në dy fatkeqësi në Detin Mesdhe, mes Libisë dhe Italisë, që ndodhi në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar humbën rreth 100 migrantë, ndërkaq numri i të vdekurve në Mesdhe në vitin 2016 shkoi në 5.000.

Më herët zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (KB) vitin 2016 e shpallën si vitin më vdekjeprurës për migrantët, duke kujtuar se në vitin 2015 në Detin Mesdhe kanë humbur jetën 3.771 migrantë.