Nesër protestë në Prishtinë kundër Vuk Jeremiqit

02.09.2016 18:36:30

Protesta kundër Vuk Jeremiq-it, do t’i bëj bashkë të gjitha subjektet politike të Kosovës.

Organizatoret e protestës së 3 shtatorit, kundër kandidimit të Vuk Jeremic-it për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina kanë njoftuar se, sot janë kryer përgatitjet finale për organizimin e kësaj proteste, që do të mbahet të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ato thanë se protesta është gjithëpërfshirëse dhe se pritet pjesëmarrje masive e popullit, kjo sepse, sipas tyre, ata e kanë mundësinë më të mirë që, edhe një herë pas shumë vitesh, t’i bashkojnë forcat kundër njeriut që e mohon pavarësinë dhe ekzistimin e shtetit tonë.

Protesta kundër Vuk Jeremic-it, pritet të jetë protesta e parë që do t’i mbledh të gjitha subjektet politike, OJQ-të dhe aktivistët e shoqërisë civile për një kauzë të përbashkët.

 

Organizatoret e protestes, kanë njoftuar se protesta do të jetë tërësisht paqësore dhe nuk ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj popullit serb, por do të jetë reagim i popullit të Kosovës ndaj kandidimit të antishqiptarit më të madh serb për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, pasi që sipas tyre, kandidimi i tij është fyerje për të vdekurit dhe të mbijetuarit e luftërave të zhvilluara në Kosovë, Kroaci e Bosnje, nga po i njëjti okupator.

“Qëllimi ynë nuk është që t’i rihapim plagët shpirtërore që i ka lënë lufta dhe okupatori serb tek ne, por që t’ia dëshmojmë Jeremic-it dhe OKB-së që, durimit të popullit tonë i ka ardhur fundi”, treguan ato duke shtuar se, “është e patolerushme për ne që, një njeri i cili e ka shpallur haptazi urrejtjen ndaj një populli tjetër, të kandidohet në postin e njeriut që supozohet ta ruaj paqen në botë”.