Nis Kuvendi Kombëtar i PD, të pranishëm disa kritikë të Bashës

29.04.2018 12:13:53

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike ka nisur në orën 10:00 siç edhe ishte paralajmëruar më herët, me surprizën e vetme, një numër më të lartë kritkësh të kryetarit Lulzim Basha.

Teksa ishte njoftuar se në Kuvend do të mungonin Patozi, Topalli dhe Bregu, në hyrje janë fotografuar  Besnik Mustafaj, Tomor Alizoti, Eduard Selami dhe Edit Harxhi.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar do vendosë për miratimin e ndryshimeve statusore, por sipas axhendës disa nga folësit në hapje kanë vendosur theksin tek keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e saj, krah një përfaqësuesit të biznesit të vogël deputetja Jorida Tabaku vuri theksin te problemet e kësaj shtrese.

Ndërkohë anëtarja më e vjetër e PD, Fato Murraj u shpreh se debatet dhe ekzistenca e kritikëve në PD tregon se kemi të bëjmë me një forcë politike të hapur, e vetmja që është e ndërtuar mbi moralin politik dhe demokracinë.

“Stabiliteti fiskal vjen vetëm duke ulur taksat. PD është e bindur se liria e sipërmarrjes u jep shans bizneseve të vogla, që po ndëshkohen nga interesat e një grupit të vogël njerëzish”, deklaroi Tabaku.

Në Kuvendin Kombëtar do të flasë edhe Lulzim Popa, një prej protestuesve në Kukës, i cili u arrestua nga Policia e Shtetit pasi kërkonte heqjen e tarifës për “‘Rugën e Kombit”.