Nis protesta e opozitës, 2.500 forca sigurie në bulevard

13.05.2017 11:47:21

Ka nisur protesta e opozitës ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku në sheshin para kryeministrisë janë mbledhur me qindra e mijëra mbështetës dhe qytetarë të ndryshëm.

Kreu i PD Lulzim Basha e ka përshkruar në këmbë rrugën nga selia blu për në bulevard, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajzat e tij.

Fillimisht do të flasin aktivistë të shoqërisë civile, protestues të ndryshëm dhe qytetarë të zakonshëm, më pas Basha do të përmbyllë protestën.

Mbi 2.500 forca të policisë janë gatishmëri për të garantuar protestën. Ndërkohë organizatorët e protestës kanë vendosur kordonë sigurie pranë policëve për të shmangur ndonjë incident të mundshëm mes forcave të rendit dhe manifestuesve.

Ndërkohë, Partia Demokratike njoftoi se rreth 2700 vullnetarë do të krijojnë një perimetër sigurie rreth protestës.

Mbështetësit e Partisë Demokratike u nisën në orët e mëngjesit drejt kryeqytetit, për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Nga qytetet kryesore të vendit, protestuesit, kishin siguruar transportin drejt Tiranës kryesisht me autobusë.

Të parët që u nisën drejt Tiranës, ishin mbështetësit e Partisë Demokratike nga qytetet e jugut. Nga Vlora u nisën disa autobusë, ndërsa një pjesë e mirë e protestuesve u nisën drejt kryeqytetit edhe me automjetet personale.

Forcat e policisë në disa raste zhvilluan kontrolle ndaj protestuesve dhe automjeteve përpara nisjes, si pjesë e planit të bërë publik një ditë më parë, për ruajtjen e rendit në kuadër të protestës së Partisë Demokratike.