Nishani: Ka një ngërç për zbatimin e reformës në drejtësi

04.08.2016 13:12:42

Presidenti Bujar Nishani bën apel për përshpejtimin e punës për miratimin e 7 ligjeve që i hapin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi. Nishani doli sot para mediave për të bërë të ditur ngërçin që është krijuar dhe që e pengon vetë institucionin që ai drejton të zbatojë detyrimet kushtetuese.

Nishani tha se pas miratimit në Kuvend të reformës në drejtësi, ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi në datë 11 gusht. Në bazë të ligjit, Presidenti i Republikës ka detyrimin që brenda 5 ditësh të shpallë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por për shkak të ngecjes së procesit për 7 ligjet, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve nuk janë formalizuar ende në ligj. Kjo krijon një ngërç, i cili pengon nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi sipas afateve të parashikuara në ligj.

Nishani ftoi grupet parlamentare dhe ekspertët në një takim konsultativ të martën, në orën 11:00.