Një eveniment i lakmushem kulturor

24.03.2019 09:22:49

Nga Enver Zhinipotoku

Në Ferizaj, u mbajtë një Akademi me karakter historik për rikujtimin e 30 vjetorit të një ngjarjeje me rëndësi të veçantë, por pak e kujtuar në historinë e re të Kosovës, “Demonstratën e Grave”, të cilën e kishin inicuar dhe filluar gratë e fshatrave Balaj e Neredime, në mbrojtje të shtetësisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Para 30 vjetësh, më 23 mars 1989, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës, kishte miratuar ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e vitit 1989, me 10 vota “kundër”, me të cilën ishte suspenduar pozita politike dhe kushtetuese e Kosovës, madje nën nivelin që kishte pasur Kosova me Kushtetutën e vitit 1963, ku Kosova trajtohej si Oblast (Zonë) e Serbisë.Edhepse këto ndryshime, me të cilat varrosej autonomia substanciale e KSAK, ishin kundërshtuar nga shqiptarët e Kosovës( ndërsa serbët po fërkonin duart nga gëzimi), nëpër të gjitha tubimet muaj me radhë nga shtatori i vitit 1988, nëpër, fabrika e uzina, shkolla e spitale dhe çdokund ku ishin mbajtur, megjithatë, presioni serb, politik dhe ushtarako-policor e vuri Kosovën para aktit të kryer.
Një muaj më heret kishte përfunduar greva e famshme e 1300 minatorëve të Trepçës, që për një javë rresht (20-28 shkurt 1989), kishin protestuar kundër heqjes së autonomisë dhe ndryshimeve kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, e cila me vendosmërinë e minatorëve për tu flijuar për ardhmërinë e Kosovës kishte lëkundur themelet e ish Jugosllavisë.
Lajmi se delegatët e Kuvendit të Kosovës nën trysninë e armëve dhe tankeve me të cilat ishte rrethuar Kuvendi, kishin miratuar ndryshimet kushtetuese, kishte kumbuar rëndë në gjithë Kosovën aty rreth orës 13. Pak minuta më vonë, në sheshin para komunës, kishin filluar të tuboheshin e të vinin grumbuj grash, që në fillim nuk dihej prej nga vinin e për çfarë qëllimi, por u kuptua se të parat ishin nga Balajt e Neredimja në mbrojtje të shtetësisë e që të kundërshtonin ndryshimet kushtetuese.Ato, një natë më heret ishin tubuar në fshat dhe kishin vendosur për një marsh protestues, së pari më fshat e më vonë në Ferizaj për të kundërshtuar këto ndryshime, që e varrosnin Kosovën në aspektin juridik. Kësaj demonstrate iu bashkuan pastaj gra nga qyteti e fshatrat për rreth, dhe u mbush sheshi para Komunës, kurse policia i kishte rrethuar, por nuk kishte intervenuar në asnjë moment.Si duket ende policia e Kosovës e kishte këtë kompetencë, prandaj nuk ndërmori asnjë akt brutal.Ishte ky një rast unikat, që gratë të organizonin një protestë të tillë politike në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës. Ishim mësuar me demonstrata prej vitit 1981, por këso nuk ishte parë në asnjë qytet të Kosovës.
* * *
Në sheshin para Komunës, që tash quhet “Sheshi Adem Jashari”, ku para 3 deceniesh ishte mbajtur demonstrata, sot u zbulua pllaka e mermertë, për nderë dhe në kujtim të kësaj ngjarjeje.Pllakën e zbuluan dy organizatoret e këtyre demonstratave, dy deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe një aktiviste e shoqatës së grave. Hanëmshahe Ilazi, njëra prej zbulueseve, tha se “gratë e Balajve e të Neredimes dolën të vetmet në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës!”
Pastaj u vazhdua me homazhe në shesh para shtatores së Rexhep Bislimit.
Në teatrin e qytetit, në sallën e mbushur plotë, më shumë gra e të reja, me një skenografi të përgatitur enkas për këtë ditë dhe nën tingujt e dy hymneve e të këngëve korale, u mbajtën disa fjalime përmbajtësore, për të evokuar atë ditë të shënuar, kur asokohe në Kosovën e përgjakur, jetën nga vdekja nuk i ndante asgjë.
Në fjalën e nënkryetarit të Komunës, u potencua rëndësia e kësaj dite, që bashkë me grevën e minatorëve dhe demonstratat tjera, i lëkundën themelet e ish Jugosllavisë.
Pastaj Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për rrugën e gjatë të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, potencoi se të dyja këto që i realizoi Kosova, nuk mund të merren me mend pa kontributin e nënave e grave tona siç është ky rast.Kosova ka resurse të mëdha, tokë e nëntokën, për të ecur përpara, por nuk tregoi se Kosovës i mungon “koka” që është kryesore, e ajo janë liderët që e udhëheqin atë!!!
Dy fjalimet, që emocionuan të pranishmit, ishin ato të dy organizatoreve të këtyre protestave të grave, Sanije Aliu dhe Hatmane Sallauka, të cilat pastaj ishin dënuar, e para 2 vite, kurse e dyta 2 vite e gjysëm nga gjykatësi Millaku asokohe. Ato treguan në detale, inicimin dhe marshin e grave së pari në fshat, e pastaj për Ferizaj.” Filluam marshin për Ferizaj, pasi ishim tubuar në fshat: nënat para bijave, e bijat pas nënave, gjyshet para mbesave, e mbesat pas gjysheve”- tha në mes tjerash zonja Sanije Aliu, e cila bashkë me shoqen e saj Hatmane Sallauka, kishin ardhur për dy ditë nga Zvicra, sa për të marrë pjesë në këtë manifestim.
” Ne si gra thyem akullin dhe tabunë e armikut, që mundohej të na bindte e mundohej të na mësonte që të pajtoheshim me robërinë nën thundrën e tij!”- tha zonja Hatmane Sallauka.
Këto dy ikona të kësaj ngjarje të rëndësishme (në mesin e të cilave ishin edhe nëna Lebibe 70 vjeçare asokohe, tanimë e ndjerë, Mevlidja, Bukurija, etj), u duartrokitën gjatë nga të pranishmit për fjalimet dhe evokimet e sinqerta.
Nga aspekti historik, këto demonstrata të grave u ndriçuan nga dy kumtesa të dy historianëve, Skënder Lutfiut dhe Besim Zymberit.I pari u fokusua tek kjo ngjarje dhe jehona e saj në opinionin dhe shtypin e asaj kohe, ndërkaq kumtesa e Besim Zymberit, ishte fjalimi më përmbajtësor i kësaj akademie, më elaborues dhe më faktografik që nga viti 1981, kur kishin ndodhur demonstratat dhe eskivazhet e shovenizmit serb nëpër vite deri tek pavarësia e Kosovës. Hiq një patetikë të panevojshme ( që megjithatë është e pashmangshme kur evokohen këso kujtimesh), kumtesa e Besim Zymberit ishte brilante.
Sharmi i kësaj akademie të organizuar bukur, ishin udhëheqja mbresëlënëse e moderatores Zyhrije Sylejmanit, këngët korale të korit të shkollës së muzikës, prirë nga dirigjentja Luljeta Jusufi, dhe poezitë e deklamuara nga artisti i madh i skenës Mirush Kabashi dhe këngët e Selami Kolonjës.
Dy të meta, që mua më ranë në sy të kësaj akademie të organizuar bukur, si asnjëherë më parë ishin:
Së pari, mospjesëmarrja e asnjë pushtetari komunal nga e kaluara, përveç atyre të PDK-së, sikur ky tubim të jetë organizuar prej tyre dhe për ta ( sikur të jetë ndonjë garë se kush po organizon pa tjetrin, njejtë sikur kur ishte LDK -ja në pushtet që e bojkotonte PDK-ja);
Së dyti, asnjë fjalë nuk u dëgjua për periudhën pas këtyre demonstratave deri në sulmin mbi Jasharët, thua se asgjë nuk kishte ndodhur gjatë 10 vjetëve të rezistencës paqësore aktive nën udhëheqjen e Rugovës e të LDK-së.
Gratë e Balajve e të Neredimës, minatorët e Trepçës, sakrificat e panumërta të popullit, vdekja e Jasharëve, e Agim Ramadanit, e mijëra dëshmorëve e heronjëve, nuk ishin bërë as për Kryetarin e sotëm të Ferizajt Agim Aliun, as për atë paraprak, Muharrem Svarça.Po, ishin bërë që, ata të jenë bashkë e të punojnë bashkë për të mirën e Ferizajt e të qytetarëve të tij!
Ndoshta gabohem, por kam të drejtë të pohoj se ndër pushtetet më të përçara në Kosovë, ku nuk koketojnë fare pozitë-opozitë, është ai i Ferizajt, që shembëllen dhe është pasqyrë besnike me atë që zhvillohet në pushtetin qendror. E kjo është turp, sidomos për ata që udhëheqin (ose kanë udhëhequr më heret), por edhe për qytetarët që mbështesin shpresat në ta.