Nokia me Android Nougat rrjedh online

11.10.2016 19:43:17

Nokia mund të jetë duke u pregatitur të zbulojë një telefon të ri i cili punon me Android.

Ky lajm është në përputhje me deklaratat e kompanisë të cilat kanë qarkulluar më herët gjatë këtij viti. Telefoni i ri, i njohur si D1C, ka rrjedhur online së bashku me specifikat e tij.

Që kur Nokia i ka shitur departamentin e pajisjeve mobile kompanisë Microsoft, njerëzit kanë filluar të spekulojnë se kur kompania finlandeze do të kthehet në tregun e telefonave të mençur.

Më herët gjatë këtij viti, kompania ka njoftuar për planet e saj rreth disa pajisjeve të reja Android të cilat do të debutojnë si rrjedhojë e partneritetit të saj me HMD dhe Foxconn.

Tani, një prej pajisjeve të mundshme ka rrjedhur në internet dhe si duket do të jetë e emëruar si D1C. pajisja e re pritet të ketë RAM memorie prej 3GB me hapësirë ruajtëse prej 32GB.

D1C do të ketë procesorin Qualcomm Snapdragon 430 të shpejtësisë 1.4GHz së bashku me Adreno 505.

Ekrani i pajisjes do të ketë 1920×1080 piksel, rezolucion perfekt mirëpo i dobët në krahasim me standardin e pajisjeve konkurrente në treg.

Në një ekran prej 5.2 inç vjen sistemi operativ Android 7.0 Nougat, versioni më i ri i platformës së Google. Pajisja e re nga Nokia spekulohet të debutoj në treg deri në fund të këtij viti.