Notre Dame – Lugina

19.04.2019 08:59:35
Nga Liridon Amidi
• Si mund t’i krahasojmë këto dy emra kur njëra është tërësi territoriale ndërsa tjetra është institucion kulturor?!
• Si mund t’i krahasojmë këto dy emra kur njëra ka prejardhje nga gjuha frenge ndërsa tjetra nga gjuha shqipe?!
• Si mund t’i krahasojmë këto dy emra kur njëra digjet ngadalë me qëllim e tjetra digjet shpejtë rastësisht?!
• Si mund t’i krahasojmë këto dy emra kur njëra kap shumën 800 milion euro për një ditë, ndërsa tjetra gati 2 milion euro e ka buxhetin për një vit?!
E pra sot u krahasuan!
Sot i krahasoi Republika e Kosovës, këto dy emra, kur shumën e njejtë që ia pat ndarë Luginës ( bashkë me Republikën e Shqipërisë ) dmth 100 mij euro, sot ia ndau Notre Dam-it. Sot krahasoi Luginën, e cila lufton çdo ditë, e duron çdo ditë që në një të ardhme të shkurtër t’i bashkangjitet po kësaj Republike, ndërsa kjo Republikë sot krahason Luginën me Notre Dam-in, e cila nuk e ndjenë nevojën për një ndihmes të tillë.
• Nevojë ka Lugina, që çdo ditë e më tepër po zbrazet.
• Nevojë ka Lugina, që është e okupuar me vite.
• Nevojë ka Lugina, që e keni obligim kushtetues.
• Nevojë ka Lugina, që ka më tepër trashëgimi kulturore shqiptare se sa një Notre Dam i Francës.
• Nevojë ka Lugina, për arsim cilësor, për liri të të folurit shqip, të të shprehurit shqip, të të shkruarit shqip, të përdorimit të simbolit kombëtar, të zhvillimit ekonomik, të përforcimit të kulturës, të njohjes së diplomave për studentët, të kthimit të banorëve të larguar nga lufta e 2000-tës, për fabrika, për vende të punës, etj.
Nevojë më të madhe ka Lugina që çdo ditë po kallet qëllimisht, e jo Notre Dame që digjet rastësisht.
Le të na bëhet “Zonja jonë” Lugina!