Nuk përfshihen në listat e PD, opozita përçahet para zgjedhjeve

25.01.2017 15:22:45

Partia Demokratike rrezikon të rrisë pakënaqësitë në radhët e aleatëve, kur kanë ngelur edhe pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare. Ndonëse pa një vendimmarrje konkrete në strukturat më të larta të partisë, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, paralajmëroi dje se asnjë nga krerët e partive opozitare nuk do të bëhet pjesë e listave të PD-së.

“Nuk ka për të pasur individë nga partitë e tjera, qofshin këta edhe kryetarë, që të jenë në listat e PD-së. Eksperienca e zgjedhjeve të vitit 2013 tregoi që nuk ishte ndoshta më e mira”, deklaroi Spaho për mediat. Vendimi, që shihet si një “korrigjim” i asaj që ish-kryeministri Berisha bëri në 2013-n, nuk është pritur mirë nga krerët e partive opozitare.

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ai i PDK-së, Nard Ndoka dhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklarojnë se PD nuk është dëmtuar nga prezenca e aleatëve në lista.

Sipas kreut të PR-së, Fatmir Mediu, lidershipi aktual i PD-së duhet të mendojë më shumë për mënyrën se si të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe jo të merret me qëndrime të pakuptimta.

“Mendoj se drejtuesit e PD-së duhet të mendojnë si fitohen zgjedhjet dhe të kontribuojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në vend që të merren me analiza dhe qëndrime të pakuptimta. Nëse do ketë një koalicion, duhet të përcaktohet dhe si fitohet. PD ka fituar më shumë se 7 mandate nga votat e partive të koalicionit në 2013-n, mjafton të bëhet një matematikë e thjeshtë”, shprehet për “Panoramën” Mediu.

Edhe për kreun e PDK-së, Nard Ndoka, prezenca e drejtuesve të partive opozitare në listat e PD-së solli përfitime më shumë për vetë Partinë Demokratike, sesa për aleatët e saj.

“Ky nuk është një vendim i marrë në bashkëpunim me koalicionin, por është një vendimmarrje e Partisë Demokratike. Por, gjithsesi, skema e funksionimit të koalicionit nuk ka ndryshuar. Partia Demokratike nuk është penalizuar nga prezenca e aleatëve në listat e saj, përkundrazi, ka marrë mandate nga këta kryetarë partish në lista. Pra nuk janë aleatët përfitues nga prezenca në listat e PD-së, por është vetë PD. Nëse PD e shikon se duhet të veprojë kështu, nuk e shikoj si shqetësuese”, thekson Ndoka.

Ndërkohë, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, e mbështet këtë vendimmarrje të Partisë Demokratike. Por në këmbim të kësaj vendimmarrjeje nga PD, Shehi kërkon garanci nga Basha që numëruesit e tij do të numërojnë siç duhet votat e aleatëve në zgjedhje.

“Unë e kam krijuar këtë ide, jam iniciatori i saj. Unë jam që çdo kryetar partie të hyjë dhe të tregojë se sa vota merr dhe sa vlen brenda opozitës. Por, në shkëmbim ne duam garancinë që votat tona do të numërohen seriozisht. Sepse shpeshherë atje bëhet një luftë e brendshme dhe z. Basha me komisionerët e vet favorizon ata që i konsideron më afër. Nuk mendoj se PD u dëmtua nga prezenca e aleatëve në lista. Por mendoj se gjithsecili duhet t’i maksimalizojë votat për opozitën”, sqaron Shehi.