Ofensiva ruso-siriane mbi Idlib, OKB e shqetësuar

01.09.2018 17:27:23

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për civilët në rajonin e Idlibit, në Sirinë veriperëndimore, ku forcat qeveritare, me mbështetjen e Rusisë, kanë në plan të fillojnë një ofensivë të madhe, për rimarrjen e zonës së fundit që mbahet nga forcat rebele.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, paralajmëroi se përdorimi i armëve kimike nga secila prej palëve do të ishte e papranueshme.
Zyrtari i OKB-së i bëri thirrje qeverisë siriane, që t’i lejojë qytetarët e saj të largohen nga Idlibi, para fillimit të një ofensive, e cila mund të shkaktojë një tjetër krizë humanitare.

Pamjet e civilëve që vuanin pas sulmit të vitit të kaluar me gaz sarin në Khan Sheikhoun, shkaktuan zemërim në shkallë botërore, kujton “Zëri i Amerikës”.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me armë kimike në Luftën e Sirisë, pas sulmit të vitit 2013 në Guta, që e detyroi qeverinë siriane të shkatërronte arsenalit e vet të armëve kimike, të ndaluara. Por përdorimi i agjentëve nervorë sarin dhe klor, tregoi qartë se në Siri nuk ishin eliminuar armët kimike dhe te enjten, Kombet e Bashkuara i paralajmëruan të dyja palët në konflikt, që të mos përdorin armë te tilla në betejën e ardhshme.