Pacolli ka takuar sot ambasadorët e Kuintit, AKR ende pa emra të ministrave

05.09.2017 19:50:05

Mbrëmë është arritur marrëveshja në mes koalicionit PAN dhe AKR-së, që i jep fund krizës që mbajti peng formimin e institucioneve të vendit tash e tre muaj.

Marrëveshja me PAN-in ia siguroi AKR-së disa ministri dhe poste tjera. Sot ka pasur emra të mundshëm nga AKR që mund të ketë në krye të ministrive që do t’i drejtojë partia e Behgjet Pacollit, mirëpo ende nuk ka asgjë zyrtare.

Lajmi.net ka kontaktuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli, i cili tha se partia do t’i ketë emrat gati kurdo që thirret seanca, mirëpo deri më tani nuk kanë biseduar rreth kësaj çështje.

“Ende nuk është vendosur asgjë, herët është, marrëveshja është arritur dje nuk ka asgjë deri tani”, ka thënë Makolli.

Tutje, Makolli tha se emrat do të bëhen të ditur së shpejti, pasi kur të caktohet mbledhja e Kuvendit ata duhet të jen të përgatitur.

“Nuk ka datë se kur do të mblidhet partia, pasi presidenti sot gjatë tërë ditës ishte i zënë në takime me ambasadorët e Kuintit. Mirëpo, kjo varet edhe prej dinamikës së Kuvendi”, tha më pas ai.

Deri më tani, Makolli tha se nuk ka asnjë emër që partia ka përcaktuar për ministritë.

Kujtomë, se AKR do të përfaqësohet në qeverisje duke udhëhequr me këto pozita

Zëvendëskryeministër i parë

Ministria e punëve të jashtme

Ministria e punëve të brendshme

Ministria e planifikimit hapësinor

Ministria e bujqësisë

Ministria e zhvillimit ekonomik.

Po ashtu AKR do të ketë shtatë zëvendësministra në këto ministri:

Zv. Ministër i jashtëm

Zv. Ministër i brendshëm

Zv. Ministër i ambientit dhe planifikimit

Zv. Ministër i mirëqenies sociale

Zv. Ministër i shëndetësisë

Zv. Ministër i kulturës

Zv. Ministër i Arsimit