Pacolli: Unë punoj gjithmonë për Kosovën, nuk mund të jem pjesë e një opozite agresive

12.10.2016 22:41:43

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në Zona B, të Klan Kosovës, ka thënë se ai nuk është bërë pjesë e opozitës, sepse beson se dy kauzat për të cilat proteston ajo do të implementohen me patjetër, pasi janë rrjedhojë e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai ka deklaruar se nga të gjitha partitë e skenës politike, veç AKR-së, është AAK-ja që është më shtetndërtuese – gjë të cilën e ka treguar në shumë raste, njofton Klan Kosova.

“Nëse kërkoni nga unë që të jem agresiv edhe ndaj institucioneve, unë nuk jam ai. Kam qenë gjithmonë ai që jashtë Kosovës kam treguar imazhin kosovar. Edhe sa kam qenë në opozitë kam lobuar për të sjellur njohje. Unë për Kosovën jashtë do të punoj sikur të jetë gjithçka në rregull brenda. Ndërsa këtu do të mundohem ta vendos vendin në binarë. Unë me AAK-në nuk kam marrëdhënie as të keqe, as të mirë. Por gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë më reale në shtetndërtim. Në takimet që kemi pasur për të ardhmen e vendit Ramush Haradinaj ka qenë shumë konstruktiv. Dokumenti për Asocioacionin e komunave serbe është ndërkombëtar dhe është gati e pamundur të mos implementohet. Unë nuk jam pjesë e opozitës agresive sepse ato dy pika për të cilat proteston do të implementohen”, tha Pacolli.

Pacolli ka thënë se ka vetëm një rrugë për ta rimëkëmbur Trepcën dhe Qeveria e Kosovës nuk është duke e ndjekur atë.

Ai ka deklaruar se Ligji për Trepcën është mirë që u bë, por se kjo punë është dashur të kryehet qyshkur, në mënyrë që të eliminohej mundësia që Kosova të dilte në arbitrazh për borxhet e marra nga holdingu që e pati krijuar regjimi i Sllobonda Millosheviqit në vitin 1992, njofton Klan Kosova.

“Ligji për Trepcën është dashur të bëhet. Ky ligj ka dy anë, atë pozitive dhe atë negative. Statusi i Trepcës është ana pozitive e këtij ligji. Ne e kemi ditur që Trepca si e tillë ka qenë e ndarë në njësi punuese dhe është dashur praktikisht të bëhet ligji menjëherë pas luftës, sepse ne e kemi ditur që në vitin 1992 okupatori e ka futur Trepcën në një holding, që e ka pasur prapavijën e saj. Në atë kohë janë marrë disa kredi, në formë materiesh primare dhe sot dihet që kjo shifër është rreth 73 milionë marka. Nuk është mbajtur premtimi për kthimin e kredive dhe kreditorëve u është dhënë garancion, për c’arsye është formuar holdingu. Dhe pjesa tjetër e Trepcës që nuk ka qenë shfrytëzues i kredive kanë qenë në të njëjtin organizëm. Pra menjëherë pas luftës është dashur të merret vendimi për shkëputjen e Trepcës nga ky krijim. Mosbërja e kësaj në moment të caktuar kam frikë se mund të shkojë në një arbitrazh. Në këtë rast kreditorët do të pyesnin pse është pritur kaq shumë për t’u marrë ky vendim”, tha ai.

Pacolli ka thënë se për bindjen e tij kreditorët origjinal të Trepcës nuk ekzistojnë më, por blerësit e këtyre borxheve mund të shkaktojnë probleme në arbitrazh. Presidenti i AKR-së ka thënë se kthimi i Trepcës në shoqëria aksionare është bërë për të blerë paqen sociale, pasi do të duhej që ajo të bëhej ndërmarrje publike, njofton Klan Kosova.

“Supozoj se kreditorët origjinal nuk ekzistojnë më. Kreditorë për Trepcën kanë qenë një kompani bullgare, një greke dhe një franceze. Jam i bindur që nga këta kreditorë origjinal do të kemi probleme me grekët, që janë në aleancë me serbët, ndërsa të tjerët e kanë shitur kërkesën e tyre. Ne kemi bërë gabim që pas luftës nuk i kemi shfuqizuar të gjitha vendimet që i kemi marrë gjatë kohës së sundimit të Serbisë.
Gjatë mandatit tim unë kam qenë i prokupuar me cështjen e Trepcës. Ligji si i tillë ka qenë i përgatitur gjatë mandatit tonë për të shkuar në Kuvendin e Kosovës. Në leximin e dytë ky ligj nuk është miratuar në kuvend për shkak të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha lideri i AKR-së.