Pas akuzave se kush e ka vendin në burg, përgjigjet ministri Bajrami: S’merrem me fjalët e Nait Hasanit!

12.12.2016 22:06:38

Sonte, në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun, është diskutuar rezultati i nxënësve të Kosovës në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA)

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se e kishte parashikuar rezultatin jo të mirë të nxënësve të Kosovës, ndërkaq shton se është i hapur për përgjegjësi politike, morale, intelektuale e prindërore,nëse deri më 2018 nuk e përmirëson këtë rezultat.

“Ky rezultat pasqyron realitetin e sotshëm të sistemit arsimor në Kosovë”, thotë ai.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, pas publikimi të rezultateve për Kosovën, ka thënë se Bajrami është përgjegjës për këtë dështim e se ai duhet të shkojë në burg – bashkë me shumë ministra tjerë.

“Kam shumë respekt për z. Hasani, për sakrificën e tij në periudhën e luftës e pasluftës, e kam edhe koleg të partisë, por nuk do të shpenzoj asnjë sekondë për t’u marrë me deklaratën e tij. Ndihem emocionalisht keq me këtë rezultat të PISA-s, por jo i dorëzuar”, ka deklaruar Bajrami. “Është një moment për vetëdijesim të përgjithshëm shtetëror, kombëtar dhe shoqëror, që edukimi dhe arsimi të jenë prioriteti numër një në Republikën e Kosovë”.