Pas kafës së mëngjesit, Haskuka e Muharremaj nisin pastrimin e qytetit

19.04.2019 14:10:12
Pas kafës së mëngjesit që e pinë së bashku, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ai i Suharekës, Bali Muharremaj nisën një aksion pastrimi.

Ani pse i takojnë subjekteve të ndryshme, të dy ata nuk e patën problem që këtë ditë ta kalojnë në të mirë të komunitetit, shkruan lajmi.net.

Ata pastruan zonën kufitare mes Prizrenit dhe Suharekës.

Në një fjalë rasti kryetari Haskuka deklaroi se “Komunat tona nuk mund të qëndrojnë në nivelin e kënaqshëm të pastërtisë, nëse të gjithë nuk vetëdijësohemi për mos hedhjen e mbeturinave nëpër hapësira publike dhe nëse materiet inerte nuk i dërgojmë në vendet përkatëse”.

Më tej kryetari Haskuka iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’iu bashkangjiten këtij aksioni për pastrimin dhe ruajtjen e ambientit.

Kurse kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj  deklaroi se qëllimi kryesor i këtij aksioni është vetëdijesimi i qytetarëve dhe theksoi se përkushtimi për një ambient më të pastër dhe më të gjelbër do të vazhdojë edhe në të ardhmen.