PD: Koncesioni i laboratorëve spitalorë aferë korruptive, Rama ta anulojë

17.12.2016 16:48:24

Partia Demokratike i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të anulojë në mënyrë urgjente koncesionin e laboratorëve spitalorë, duke e konsideruar një aferë të madhe korruptive që bëhet 6 muaj para zgjedhjeve.

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë Albana Vokshi, tha se ky koncesion rrezikon cilësinë dhe rrit korrupsionin dhe se prej tij do të përfitojë vetëm Rama dhe ministri i Shëndetësisë

“Koncesioni do të monopolizojë sistemin laboratorik mjekësor, do të prodhojë çmime të pakontrolluara e të larta, do të cenojë cilësinë dhe transparencën e shërbimit dhe do të krijojë problem të sigurisë për shëndetin e pacientëve. Në këtë sistem të korruptuar që ne kemi, privati do të gjejë përherë mundësi të dëmtojë cilësinë për të fituar më shumë.

Koncesioni pritet të rrisë ndjeshëm korrupsionin nëpërmjet inflacionit të testeve laboratorike duke rritur fiktivisht pagesat nga shteti, nëpërmjet taksapaguesve.

Koncesioni pritet të ketë pasoja të ndjeshme njerëzore dhe humane, pasi rrezikon të hedhë në rrugë rreth 850 mjekë dhe staf mjekësor.

Me shumë gjasa, ata do të zëvendësohen nga njerëz më pak të kualifikuar por që kanë në xhep teserën e partisë, që ndjekin mbledhjet e PS-së, apo japin zarfet nën dorë.

‎Koncesioni, s’është gjë tjetër veçse një procedurë korruptive dhe abuzive, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ‎që përbën një shkelje të rëndë.

Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës  të tërhiqet nga ky koncesion kurruptiv i cili do ketë pasoja të rënda humane, shkencore, didaktike, financiare‎.

Partia Demokratike nuk e njeh, dhe do ta kthejë mbrapsht këtë konfesion, këtë vjedhje të re në shëndetësi, ashtu si edhe të tjerat që kanë bërë Edi Rama dhe Ilir Beqaj”, tha Vokshi.