PD: Qeveria po grabit pronat e qytetarëve në Porodinë

12.12.2016 12:30:02

Qindra banorë të Korçës kanë protestuar për grabitjen që sipas tyre po u bëhet pronave të tyre nga qeveria dhe deputetët e mazhorancës në zonën e Porodinës. Banorët akuzojnë zëvendëskryeministrin Niko Peleshi dhe deputeten Olta Xhaçka se qëndrojnë pas kësaj skeme, që u heq atyre qindra hektarë tokë pronë të njohur, në emër të një projekti për ndërtimin e një aeroporti.

Duke dalë në mbështetje të banorëve, deputetët e PD kanë deklaruar se, të dhënat tregojnë se me ndikimin e Peleshit dhe Xhaçkës e gjithë kjo zonë i ka kaluar në pronësi një personi të afërt me ta dhe ndërkohë janë zhveshur nga pasuria e tyre të gjithë banorët e zonës.

Nga ana e tyre, qytetarët kanë treguar dokumente që konfirmojnë pronësinë e tyre dhe që pretendojnë se zona është tokë bujqësore dhe se aeroporti nuk rezulton gjëkundi në projektin e qeverisë. Nga ana e tij, sekretari organizativ i PD, Ervin Salianji ka deklaruar se kjo është një padrejtësi që bëhet në kurriz të qytetarëve për interesa klienteliste.

“Jemi këtu për t’ju mbështetur kundër tjetërsimit të pronës, vjedhjes që po ju bën qeveria, Bashkia e Korçës dhe zv/kryeministri. Ju e keni bashkëfshatare deputeten e zonës, ka ardhur t’ju marrë votat, pasi i ka marrë ato, tani po ju merr edhe pronën. Keni 26 vjet që e posedoni, keni certifikata pronësie, nuk mundet që për një aferë të pistë korruptive të kalojnë para në një dorë të vetme, t’u merret prona bashkëfshatarëve e t’i kalojë një njeriu të vetëm. E bëjnë vetëm për një arsye, sepse e kanë kaluar me vendim të Këshillit Bashkiak për të miratuar aeroportin. Projekt që nuk ju shërben juve, nuk ju trajton ashtu siç duhet e për të cilin nuk ju kanë marrë asnjë mendim”, ka thënë Salianji.