Petrit Vasili: Reforma në drejtësi, më e rëndësishme se koalicioni

31.07.2016 10:47:45

Nga Elmaz Gorica

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së ka reaguar dje pas qëndrimit të deputetit social ist Pandeli Majko se koalicioni PS-LSI mund të ketë nevojë – të rishikohet, për shkak të tensioneve që janë evidentuar gjatë diskutimeve për reformën në drejtësi. Vasili tha se nuk ka asnjë keqkuptim lidhur me qëndrimin e LSI-së dhe kreut të saj Ilir Meta për reformën në drejtësi. Ai thotë se Meta ka qenë i palëkundur në idenë e tij për një reformë sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus. “Jo se e kam zakon të reagoj pas çdo prononcimi të çdo deputeti, por në respekt të miqësisë dhe raportit personal me zotin Majko dua të ndaj me të dhe me publikun disa të vërteta të domosdoshme. Nuk ka asnjë keqkuptim për reformën në drejtësi lidhur me qëndrimin e LSI-së dhe z. Meta. Jam i bindur që zoti Majko nuk është i informuar, që në tavolinat e nivelit të lartë të koalicionit që nga dita e parë kur kjo reformë filloi të hartohej edhe deri në miratimin e saj në mesnatën e 21-22 korrikut, qëndrimi i z. Meta dhe i LSI-së ka qenë i palëvizshëm për të pasur një reformë në drejtësi sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus”, shprehet Vasili. Më tej kreu i grupit parlamentar, thotë se LSI-ja do t’i kundërvihet gjithnjë politikës së konfliktualitetit që nuk i shërben interesave të vendit dhe që mbajnë larg institucioneve opozitën.

“Ky qëndrim i zoti Meta nuk ka lëvizur asnjë presje edhe në çdo takim me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë, pasi ka ekzistuar një bindje e patundur që çdo votim i njëanshëm do të shfrenonte konfliktin politik, do të vriste dialogun politik dhe do të aksidentonte seriozisht procesin e integrimit. LSI si forcë bashkëpunuese dhe jo përjashtuese ka qenë dhe do të jetë e vendosur për t’iu kundërvënë politikës së konfliktualitetit që minon procesin e integrimit evropian si dhe që imponon nxjerrjen e opozitës jashtë institucioneve”, thuhet në deklaratë. Sipas tij, LSIja ka qenë një forcë shumë korrekte në raportet e saj me koalicionin dhe ky qëndrim ka qenë i qartë edhe në tavolinat e nivelit më të lartë të koalicionit, por edhe në të gjitha nivelet e tjera të komunikimit ku Vasili ka qenë i pranishëm. Duke theksuar se LSI-ja nuk i ka vënë asnjëherë kushte Ramës dhe PSsë, Vasili i përgjigjet Majkos se kushti i vetëm i vendosur të majtëve kur ishin në opozitë ka qenë votimi i tre ligjeve për integrimin e vendit në BE.

“LSI-ja dhe Ilir Meta nuk kanë vënë asnjëherë kushte apo kushtëzime pushteti ndaj Edi Ramës dhe PS-së. Por ka pasur vetëm një kusht, që është vendosur nga LSI për PS-në para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ai ishte që Partia Socialiste, në opozitë në atë kohë, të votonte tre ligjet që ishin detyrim i integrimit evropian, pasi ekzistonte shqetësimi i madh se në rast se koalicioni PS-LSI nuk do të arrinte 84 vota, Berisha do të bënte të njëjtën gjë duke penguar procesin e integrimit evropian të vendit, thuhet në reagimin e Vasilit. Arsyen e koalicionit me Partinë Demokratike në vitin 2009, Vasili e lidh me nevojën për stabilitet politik në vend dhe liberalizimin për qytetarët shqiptarë. “Gjithashtu, është vendi të kujtoj se edhe koalicioni me PD-në në vitin 2009, i cili u krijua, pas përjashtimit nga PS-ja të çdo mundësie të bashkëpunimit politike me LSI-në, u krijua vetëm me një qëllim për të siguruar stabilitetin e vendit dhe për të bërë liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, falë të cilit shqiptarët gëzojnë mundësinë për të lëvizur si qytetarë të barabartë në Evropë, duke bërë realiteti kështu një ëndërr të parealizueshme për dekada të tëra”, thotë Vasili, duke kujtuar ndër të tjera se LSI-ja sipas tij mbajti një qëndrim të prerë ndaj Berishës kur u kërkua të miratohej një ligj që kishte të bënte me NATO-n, por që nuk e kishte miratimin e saj. LSI-ja, shprehet Vasili, kushtëzoi qëndrimin në koalicion me PDnë, duke frenuar miratimin e këtij ligji me qëllimin moscenimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Majko, i painformuar për koalicionin”

Duke e cilësuar deputetin socialist Pandeli Majko një “fanar ndriçues” në arritjen e konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës për miratimin e reformës në drejtësi, Petrit Vasili shprehet se Majko është i painformuar në lidhje me çështjetet e koalicionit. Sa i përket koalicionit qeverisës, Vasili thotë se ai duket më i vogël në raport me ndryshimet kushtetuese që u miratuan më 22 korrik. “Unë besoj akoma që z. Majko bën pjesë në atë plejadë socialistësh që nuk e kanë harruar kredon: të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet. Unë e vërej të qartë mosinformimin që Pandi ka për çështjet e koalicionit megjithëse sinqerisht koalicioni ynë më duket i vogël në raport me këtë arritje shtetformuese, që u realizua mesnatën e 21-22 korrikut dhe që shtron rrugën e vendit për 30 vitet që vijnë. Megjithatë, deklarimi i z. Meta dhe gatishmëria e plotë për të komunikuar në çdo nivel qoftë edhe të grupeve parlamentare për çështje të koalicionit besoj që e shteron edhe këtë merak të mikut tim, Majko ku theksoj edhe një herë se korrektesa e LSI-së në bashkëpunimin e saj politik do jetë e pandryshuar sikurse dhe gatishmëria për të dëgjuar çdo shqetësim që Majko apo kushdo tjetër mund të ketë”, tha Vasili.