Polemikë e deputetëve shqiptar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

14.08.2016 15:20:24

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Maqedonisë për vërshimet e gjashtë gushtit janë përfshirë edhe deputetët  nga radhët e partive shqiptare.

Deputeti nga radhët e BDI, Xhevat Ademi ka vlerësuar se ka vend për analizë, për përgjegjësi se pse dështuan institucionet në paralajmërim.

“Më mirë lopatë për secilin deputet se sa 10 minuta fjalim nga foltorja e Kuvendit. Të ndajmë nga një pagë mujore të deputetëve për vendet e vërshuara”. Institucionet po punojnë, po punojnë edhe qytetarët, ne çfarë po bëjmë. Ata nuk mund të na përcjellin. Propaganda në këtë seancë është zero”, ka thënë në kuvend, Ademi.

Deputeti i PDSH, Bekim Fazliu nga foltorja e Kuvendit ka vlerësuar se humanizmi në Maqedoni ka dalë jashtë mode dhe është varrosur njëjtë sikur demokracia dhe institucionet e këtij shteti.

“Grupi parlamentar i PDSH para dy javësh kërkoi mjete për parandalim të këtyre fatkeqësive për rajonin e Hasanbegut, Tetovës e Likovës. Këto kërkesa i bëjmë me vite. Pse nuk i pranuat amendamentet e PDSH për infrastrukturë. A mund të tregoni para qytetarëve se pse nuk pranuat kërkesat e PDSH. Fajtor nuk mund të jetë natyra, fajtori është krimi dhe korrupsioni”, ka thënë Fazliu.