Policia e Kosovës brenda një javë konfiskon 160 kg drogë

Policia e Kosovës brenda një javë konfiskon 160 kg drogë

31.03.2017 15:23:31

Policia e Kosovës brenda një javë ka konfiskuar rreth 160 kilogramë substanca narkotike, para të gatshme dhe armë, ndërsa ka arrestuar 34 persona nën dyshimin për posedim dhe transportimin të drogës.

Kjo javë, konsiderohet më e suksesshmja e Policisë kosovare, ndërsa droga është konfiskuar në tri operacione të ndryshme.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në funksion të realizimit të objektivave dhe aktiviteteve të parapara me Strategjinë Kombëtare kundër drogave dhe legjislacionit në fuqi ka realizuar operacione të suksesshme në parandalimin dhe luftimin trafikimit me narkotikë. Vetëm në tri raste të ndara gjatë kësaj jave njësitet e antidrogës së Policisë së Kosovës kanë konfiskuar 151 kg e 434 gram substancë narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.

Përveç rastit të publikuar të datës 28.03.2017, ku janë konfiskuar 62 kg e 465 g marihuanë, dje ( e enjte) me datë 30.03.2017, janë zhvilluar operacionet e koduara “Bari” dhe “Rikthimi”.

“Pas hetimeve të zhvilluara dhe dyshimit të bazuar për posedim dhe trafikim të substancave narkotike, njësitet e DHTN-së në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, kanë realizuar një bastisje në Prishtinë me kodin “Bari”. Operacioni ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar mashkull shqiptar me inicialet A.S. i lindur më 1969, si dhe konfiskimin e 57 kg e 69 g. Marihuanë”, njofton Policia transmeton RTKLive.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, kurse sasia e substancës së dyshuar narkotike pas evidentimit nga krimteknika dërgohet për egzaminim laboratorik. Ndërkaq operacioni “Rikthimi” po ashtu është zhvilluar dje rreth orës 18:00 pas një pune operativo-hetimore në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare.

“Nën dyshimin e bazuar për transport ndërkombëtar të drogës është ndaluar një automjet transportues që drejtohej nga i dyshuari me inicialet  I.O. i lindur në vitin 1977 dhe pas kontrollimit në rimorkion e tij janë gjetur katër çanta substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 31 kg e 600g. Në vazhdim të operacionit janë bastisur tri lokacione tjera me ç’rast janë gjetur: tri revole, 79 fishekë të kalibrave të ndryshëm, para  në vlerë prej rreth 19 mijë Euro dhe është arrestuar edhe personi me inicialet M.R. i lindur më 1968 si i dyshuar për bashkëkryerje të veprës penale”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast, sipas Policisë, në kërkim janë edhe dy persona tjerë të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar automjeti transportues dhe tri vetura.  Me urdhër të prokurorit të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve për vazhdim të procedurave tjera ligjore.Mustafa: Europa mbështetë Kosovën në rrugën integruese