Policia e Tiranës arreston pjestarin e ISIS-it të shpallur në kërkim nga Maqedonia

15.08.2016 10:33:08

Policia e Tiranës ka arrestuar pasditen e djeshme një 46-vjeçar nga Maqedonia për lidhje me Shtetin Islamik të ISIS-it. Ndërkohë, burimet pranë policisë së kryeqytetit bënë të ditur se shtetasi maqedonas ka qenë në Siri përkrah terroristëve.

Në pranga ka përfunduar shtetasi Imerli Avmeti nga Gostivari, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Maqedonia, pasi akuzohet si pjesëtar i ISIS-it. Burimet nga policia theksojnë më tej se 46-vjeçari nga Gostivari është mbajtur 48 orë në vëzhgim në Tiranë nga agjentët e anti-terrorit për të dokumentuar veprimtarinë në Shqipëri, ndërsa më pas është arrestuar.

Imerli Avmeti dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të rekrutuar luftëtarë për t’i dërguar më pas në Siri, me qëllim bashkimin me forcat e Shtetit Islamik të ISIS-it. Imerli Avmeti, pas arrestimit, pritet që të ekstradohet në Maqedoni ku do të gjykohet si pjesëtar i ISIS-it dhe rekrutues i terroristëve.