Post-Telekomi përballë praktikës biznesore dhe ekonomike të Kosovës, si dhe të dimensioneve politike dhe të sigurisë

08.06.2018 20:55:40

Nga Rexhep Kastrati

Post-Telekomi i Kosovës është në një krizë afarizmi, përkatësisht është buzë falimentimit. Këto po e thonë të gjithë, por askush nuk po e bën një paraqitje reale dhe të plotë të shkaqeve që e kanë sjellë në këtë gjendje.

Pra, a është faktori teknologjik, përkatësisht softverik, ai që ka sjellë krizën afariste të këtij gjigandi ekonomik, siç thonë nga vetë post-telekomi, apo ka edhe faktorë të tjerë?

Siç dihet, rënien e të hyrave, pra të fitimeve, bordi menaxhues e ka arsyetuar me shfaqjen e viberit dhe të softverëve të tjerë komunikativë, ndërkohë që të tjerë japin arsye dhe argumente që këtë gjendje e lidhin me keqmenaxhim, korrupsion dhe me kontroll politik të kësaj kompanie.

Ka të tjerë që e përmednin edhe një kontratë të dëmshme me Dradafonin, përkatësisht Z-Mobile-n, e që Telekomit i ka kushtuar shumë dëme.

Në fakt, nëse do të ndiqet historia e themelimit të kompanisë publike Post-Telekomi i Kosovës, sipas Rregulloreve të UNMIK-ut, do të duhej të ndiqet rrjedha që nga anulimi i tenderit të parë për operatorin e parë, përkatësisht për kompaninë që do t’a jepte në shfrytëzim prefiksin për të mundësuar funksionimin e komunikimit mobil dhe përse u përcaktua Manaco-Telecomi? Pra, jemi në një proces të natyrës ndrëkombëtare, ku gjithsesi janë përfshirë edhe interesa shtetesh, përkatësisht interesa të Francës. A ka pasur trysni Kushner nga DGSE-ja që të fitonte tenderin pikërisht kompania që ka fituar?

Interesi për këtë tender ka qenë i madh edhe për faktin se në këtë mënyrë mundësohej kontrolli i komunikimeve që realizohen nëpërmjet telefonisë mobile, e që do të thotë edhe përgjimet e plota. Pra, interes i shërbimeve të ndryshme sekrete ka të bëjë pikërisht me mundësitë për përgjim dhe kontroll të plotë të komunikimeve.

Gjithsesi, Kushner nuk ka qenë vetëm, por aty kanë qenë edhe përfaëques shqiptarë, sidomos Hashim Thaçi, i cili tashmë përflitet se ka qenë prej kohësh i rekrutuar nga DGSE franceze.

Sqarimi i kësaj pjese, do të zbulonte edhe lidhjet, përkatësisht kontrollin që PDK ka pasur dhe vazhdon ta ketë në Post-Telekomin e Kosovës, e në mënyrë të veçantë, në Telekomin. Po ashtu, mund të dalin në sipërfaqe edhe çështje përgjimi dhe të aspekteve të tjera të sigurisë shtetërore.

Një çështje që do të sqarohej, është edhe çështja e përgjimeve që Serbia ka bërë në telefoninë mobile që lidhet me “Valën”, për çka ka pasur informacione të ndryshme. Pra, a i është mundësuar nëpërmjet DGSE-së, por edhe nëpërmjet rekrutëve të saj shqiptarë, një përgjim i tillë?

Ky aspekt ka rëndësi të hetohet edhe për faktin se përse kriza afariste e Telekomit të Kosovës është shfaqur në kohën kur po përfundon marrëdhënia kontraktuale me Monaco-Telecom për prefiksin +377. A është vetëm rastësi?

Një aspekt tjetër i qenësishëm ka të bëjë me politikën kadrovike dhe financiare të kësaj kompanie: duhet të hetohet jo vetëm përgjegjësia e bordit të fundit, por e gjithë bordeve që janë emëruar gjatë viteve, punësimet në to, si dhe përdorimi politik i saj. Për këtë të fundit kam parasysh mundësinë që të hetohet se a janë kryer punësime në borde nga militantë partiakë, a janë përdorur këto punësime për të blerë njerëz të partive të ndryshme? Në aspektin financiar, gjithsesi duhet të hetohet dinamika e rritjes së pagave në këtë kompani, por edhe çështja e sponzorizimeve të ndryshme të fushatave zgjedhore të partive, si dhe të medieve të ndryshme. A janë blerë mediet nëpërmjet formave të tilla sponzorizuese? A janë çuar spnzorizime dhe reklama në medie të ndryshme në bazë të udhëzimeve dhe parapëlqimeve politike?

Ky aspekt, ka të bëjë jo vetëm me shëndetin afarist të Post-Telekomit, por edhe me funksionimin e medieve, varësisë së tyre, pra në çështjen e informimit dhe të krijimit të opinionit, e që të gjitha këto kanë pasur dhe kanë ndikim edhe në cilësinë e funlksionimit demokratik të shoqërisë sonë dhe të institucioneve partiake e shtetërore.

Një aspekt tjetër që duhet të hetohet ka të bëjë me mundësinë që Post-Telekomi i Kosovës të jetë sjellë në këtë gjendje në mënyrë të qëllimshme që të shitet me një çmim të ulët, ashtu siç janë shitur kompani të tjera publike. Në një rast të tillë, a po i përgatitet kësaj kompanie fati i KEDS-it, i Aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, etj., pra që të bie në duart e grupeve të interesit të lidhur me grupe ndërkombëtare interesi?

Një aspekt tjetër që mund të konsiderohet aspekt i marrëdhënieve ekonomike në fushën e konkurrencës, ka të bëjë me operatorin e dytë mobil, IPKO, përkatësisht e përfshirjes së politikës në bordet e saj gjatë viteve që nga themelimi. Është përfolur gjatë viteve se pjesë të bordeve drejtuese të IPKO-s janë njerëz të lidhur me një forcë apo një forcë tjetër politike, e që mund të ketë lidhje edhe me mënyrën e fitimit të licensës si operator i dytë mobil në Kosovë.

Këto mund të jenë vetëm aspekte kryesore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për Post-Telekomin, por është një çështje tjetër shumë e rëndësishme: a mos po synohet që statusi publik, pra si ndërmarrje publike të shpallet i dështuar, e t’i hapet rruga privatizimit tërësor të ndërmarrjeve publike, pra edhe të këtyre që lidhen me interesa strategjike ekonomike dhe shtetërore.

Në këtë kontekst kam parasysh edhe ndërmarrje të tilla si “Gazivoda”, “Trepça”, Kompleksi turistik në Brezovicë dhe shumë të tjera që veç karakterit të tyre strategjik, kanë edhe synimet e forta të Serbisë mbi to.

Kur bëhet fjalë për këtë aspekt, një çështje që shtrohet ka të bëjë me modelin e privatizimit, pasi që shumica, apo tërë modelet e gjertanishme të privatizimit, po ashtu, janë treguar të pasuksesshëm.

Dhe krejt në fund, a janë gjithë këto arsye se edhe në Kuvendin e Kosovës pat shumë fjalë, por asnjë qartësi dhe ide të plotë dhe të saktë se çka më tej.

Gjithsesi, mbetet të shihet si do të rrjedhin ngjarjet dhe a do të pësojë edhe Post-Telekomi i Kosovës fatin e kompanive të tjera, apo do të fillojë të zbërthehet lëmshi i gjithë të këqijave dhe dëmeve ekonomike, politike, të sigurisë etj.