Presidenca reagon pas letrës që Kurti i shkruajti Lajçakut: Lista e delegacionit mbetet dëshirë personale asgjë më shumë

09.04.2020 15:13:46

Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në detyrë nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.

Në njoftim thuhet se “Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim”.

“Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese. Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej në njoftim thuhet se lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.