Presidenti, Rama: Meta kandidati ideal, i prerë të jetë me të gjithë dhe me asnjë

27.04.2017 23:42:20

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Top Story në Top Channel, e cilësoi Ilir Metën si kandidatin ideal për president, pasi sipas tij është personi që ka akses tek të gjithë edhe pa qenë president dhe zgjidhja ideale edhe për Partinë Demokratike.

“Ilir Meta ka bërë një përpjekje për të cilën unë s’kam qenë dakord për të bërë gjithçka edhe përtej kufijve që PD të ulet në tavolinë dhe të futet në zgjedhje duke na bërë të ndihemi shpesh jo si një koalicion, po si tri palë. Ka bërë rolin  e tretit të vërtetit. Edhe oferta e fundit, shtyrja e zgjedhjeve deri ne 16 korrik dhe prekja e qeverisë janë rezultate i përpjekjes së tij. President më me PD se sa vetë PD s’kishim ku gjenim. Ai ka akses tek të gjithë edhe pa qenë president, këtë punë tani do ta bëjë si presionet. Meta është zgjidhja ideale edhe për PD. Edhe sot Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President. Po të mos ishte kjo situatë, Meta do të ishte në krye të betejës për të marrë edhe më shumë deputetë dhe për të qenë në vazhdimësi pjesë e jetës politike aktive”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh i bindur. “Nesër Ilir Meta zgjidhet President i Republikës me mbështetjen e plotë të LSI dhe PS”, tha ai.

Por a e cënon kjo lëvizje koalicionin PS-LSI?

“Aksi PS-LSI është strategjik që nuk është koalicion numrash, por koalicion për vizion dhe program reformash. Kur flas për opozitë nuk flas për LSI-në”, u përgjigj Rama.

“Unë jam i lumtur se President më me PD-në, por jo i PD-së, kandidat tjetër veç Ilir Metës ne nuk mund të gjenim”, shtoi Kryeministri.