Presidenti Rugova dhe Adem Jashari janë binomi i shtetit të Kosovës. Të tjerët erdhën në skenë mbi trupat e vrarë të Jasharëve dhe mbi tradhtitë ndaj tyre

30.03.2017 16:10:04

Nga Rexhep Kastrati

Projekligji për Komplesin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është përpjekja e radhës e PDK-së për të manipuluar opinionin dhe për të provokuar skenën politike në Kosovë. Pas dështimit të formave të dhunshme, anarkiste dhe destabilizuese të viteteve të fundit, dhe pas dështimit të nismës për FSK-në, PDK ia ka lejuar vetes që të manipulojë me mjetin e fundit që i ka mbetur: Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si një mundësi për të mbajtur të lidhur elektorantin e saj që pritet të shkapërderdhet edhe nga veprimet e Gjykatës speciale dhe nga dosjet që ia kanë bërë njëri-tjetrit, si dhe të shkaktojë krizë institucionale, përkatësisht për ta vënë në siklet LDK-në, ashtu siç e kishte vënë edhe me ligjin për veteranë të luftës, edhe me emërtimin e ushtrisë së Kosovës, edhe me nisma të tjera ligjore dhe politiko-institucionale.

Mirëpo, PDK që në fillim ka bërë një gabim të rëndë duke e bërë zëdhënës të saj për këtë projektligj, dhe avokat të këtij projekligj, Shaip Mujën, i cili nga kjo parti doli pa mjekër dhe është kthyer me mjekër, që duhet të sqarojë rastin “Medicus” dhe lidhjet e saj eventuale me të ashtuquajturën “Shrëpi e verdhë”, duhet të sqarojë angazhimet e tij të para luftës, dhe të pasluftës. Në të vërtetë, vetë fakti se këtë projektligj e avokoi në emër të PDK-së Shaip Muja, një nga personat në dosjen e Dick Marthy-t, që ka shërbyer si bazë apo arsye për themelimin e Gjykatës speciale, është një argument për të thënë se edhe kjo nismë li gjore nuk ka të bëjë fare me Kompleksin memoral “Adem Jashari”, por ka të bëjë me angazhime të vazhdueshme të patriotizmit folklorik, manipulativ dhe në funksion të heroizimit në prag të akuzave dhe arrestimeve të para nga Prokuroria speciale për llogari të Gjykatës speciale.

Në këtë kuptim, është e turpshme, është kundërnjerëzore dhe kundërkombëtare që një forcë politike ka degjeneruar aq shumë sa në funksion të interesave personale dhe për të llogari të individëve të caktuar që do të akuozhen dhe do të gjykohen në Gjykatën speciale, të përdhosë një vlerë njerëzore dhe kombëtare, siç është ajo që përfaqëson sakrifica e familjes së Adem Jasharit!

Edhe opinioni i gjerë duhet ta kuptojë në këtë mënyrë, jo vetëm për ato që thashë më lartë, por edhe për faktin se kanë qenë dy mandate qeverisëse kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi dhe nuk është ndërmarrë një nismë e tillë ligjore, dhe  ka mbi dy vjet të kësaj legjislature që nuk është ndërmarrë një nismë e tillë ligjore, por vetëm pasi që dështuan të gjitha format tjera manipulative, të dhunshme dhe anarksite, si dhe bllokadat institucionale, nismat tjera ligjore.

Natyrisht nuk dua të lëshohem në komente dhe argumente historike, as të ballafaqimit të personalitetit të Adem Jasharit dhe presidentit Rugova, pasi që ato janë të qarta tashmë: Adem Jashari dhe presidenti Rugova nuk përfaqësojnë të kundërtat, por përplotësojnë njëri-tjetrin. Në fakt raporti ndërmjet presidentit Rugova dhe Adem Jasharit janë raporte ndërmjet komandantit suprem dhe një ushtari, për të cilin presidenti Rugova kishte shpallë tri ditë zie. Në anën tjetër, historia e luftës së Adem Jasharit ka filluar në vitin 1991, është financuar dhe është mbështetur nga LDK-ja,  e jo nga viti 1998. Viti 1998 është viti i tradhtisë së madhe që i është bërë atij, familjes së tij, luftës në Kosovë dhe vetë organizimit politiko-institucional të Kosovës, për t’iu hapur rruga pikërisht këtyre që gjatë viteve kanë kërkuar pushtet, kanë marrë pushtet dhe ekzistojnë duke keqpërdorë emrin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij.

Së këndejmi, edhe pse i menduar si një provokim, kjo nismë ligjore nuk ka pse të merret si i tillë nga LDK dhe as nga rugovistët në përgjithësi, pasi që ky është një projektligj për një Kompleks memorial për një komandant grupi, për një luftëtar që njihte presidentin Rugova si komandant suprem. Prandaj, edhe nuk duhet të bjerë në provokime të tilla, në tendenca të tilla që të paraqesin Adem Jasharin si të kundërtën e presidentit Rugova, por të ketë parasysh se PDK dhe të tjerët që kanë hyrë në historinë e Kosovës për të dëmtuar Kosovën dhe çështjen shqiptare, por që kokën dhe dirigjimin e kanë në dhe nga agjentura kundërshqiptare, siç janë bërë publike tashmë shumë të dhëna dhe fakte.

Krejt në fund duhet thënë: tendendenca për të paraqitur prsidentin Rugova dhe Adem Jasharin si të kundërt, në fakt është bërë dhe bëhet për të përvetësuar simbolikën e Adem Jasharit, për të fshehur historinë e tyre të vërtetë: kanë dalë nga agjenturat kundërshqiptare për t’u shërbyer atyre agjenturave dhe interesave të shteteve që u përkasin ato agjentura. Dhe rruga e shpërfaqjes së tyre ka kaluar mbi trupat e vrarë të Adem Jasharit dhe familjes së tij.