Presidentja e Kroacisë ndërpret vizitën për shkak të zjarreve

18.07.2017 11:42:48

Kitaroviq ka vendosur ta shkurtojë vizitën e saj në Austri

Për shkak të situatës me zjarre në Dalmaci, presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq ka vendosur të shkurtojë qëndrimin në të ashtuquajturin takim trelateral tradicional të presidentëve të tri shteteve Kroaci, Itali dhe Slloveni, i cili këtë vit mbahet në qytetin austriak Salzburg.

Siç transmetojnë mediat kroate, Kitaroviq nga Austria direkt do të shkojë në Split për t’u njohur nga vendi i ngjarjes me gjendjen në qytetin më të madh kroat në bregdetin dalmatin dhe rrethinën e tij, por edhe në lokacionet tjera ku janë regjistruar vatra zjarri.

Të paktën 80 persona janë lënduar në zjarret që digjen prej dje në mëngjes në paralagjet veriore dhe lindore të Splitit.

Numri më i madh i të lënduarve janë zjarrfikës. Sipas autoriteteve lokale, të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.