Prof. dr. Muhamet Mustafa: Blofi politik dhe logjika neokolonialiste – një reminishencë milosheviqiane

12.10.2016 19:36:59

( Edhe njëherë për reagimet në Serbi rreth Trepçës)

Po shoh se shume po merremi me deklaratat dhe “kërcënimet” nga Serbia lidhur me Trepçën. Gjithçka vie prej andej është pa kurrëfarë baze ligjore dhe sistemore. Administrimi dhe qeverisja e Trepçës edhe në kohen e ish federatës Jugosllave ka qenë tërësisht ne duart e Kosovës autonome. Për të gjitha investimet që janë bërë ka garantuar Kosova dhe ka investuar aty investimet e dedikuara për zhvillimin e saj. Serbia nuk ka investuar asgjë në Trepçë dhe edhe po te donte nuk do të mund ta bënte këtë. Kjo situatë është përjetuar si faktike dhe asnjëherë as që është ngritur nga Serbia si një problem ekzistues. Kështu ishte deri në gjysmën e vitit 1990, kur Qeveria e Serbisë , jashta autorizimeve kushtetuese, me polici dhe ushtri e okupoi Kosovën, suspendoi gjendjen institucionale, vendosi një administrim pushtues kolonial, okupoi edhe gjithë ndërmarrjet shoqërore , përjashtoi 70% te të punësuarve ne to ( shqiptarët), instaloi struktura menaxheriale pushtuese, instaloi te ashtuquajtura masa te administrimit të dhunshëm. Cka ndodhi gjatë viteve korrik 1990 – qershor 1999 kur Trepça u pushtua nga regjimi i Milosevic ? Udhëheqësit / menaxherët e punëtorët shqiptar u përjashtuan nga puna menjëherë, u zëvendësuan me administratorë të dhunshëm serbë, prodhimi gradualisht ra në vetëm 10-30 % te prodhimit para korrikut 1990, pasoi një dezinvestim i thellë ( kur asetet vetëm amortizohen dhe nuk zëvendësohen me investime as ne nivel te amortizimit) , Trepça nuk paguante borgjet për kreditë e marruna dhe në përgjithësi edhe ajo u fut brenda ekonomisë luftarake dhe vrastare te regjimit Serb. Veç kësaj Serbia krijoi një fond fiktiv, fantom që tash e përmend aty këtu , i cili goja krijoi një pronësi në më shumë se gjysmën e Trepçës pa investuar asnjë “dinar”.
Pas luftës regjimi kolonial serb u largua nga Kosova me gjithë aparatin e dhunës dhe instrumentet e tjera, Trepça ju kthye administrimit të Kosovës. Administrata e OKB anuloi gjithë aktet diskriminuese te regjimit serb ( duke përfshi edhe këto te natyrës se këtij fondit fantom) . Nën administrim të AKM dhe AKP Trepça vështirë e gjente rrugën e zhvillimit dhe fatkeqësisht as pas shpalljes së pavarësisë procest nuk shkuan aq shpejtë. Por një gjë është e vërtetë : Qeveria serbe s’është pyetur për asgjë , e as nuk ka mundur të pyetet rreth Trepçës. Prej nga atëherë e ka burimin gjithë ky hidhërim në Beograd? Eshtë e vështirë që kjo të kuptohet ndryshe pos , një blof politik, një lojë e papërgjegjshme politike me reminishence millosheviqiane dhe neokoloniale , në llogari të tensioneve në Kosovë e rajon, ngadalësim të proceseve të integrimeve evropiane për rajonin e për vete, ushqim i tensioneve ndëretnike , pengim punëtorëve serbë te Trepçës që të përfitojnë prej zgjedhjeve të avansuara që u ofron Ligji , atyre njësoj si gjithë te tjerëve brenda një shoqëria aksionare dhe kompanie moderne. Kërkesat serbe dhe ankesat e tyre janë aq absurdë, jashtë kohës , jashtë hapësirës dhe realiteteve ekzistues e edhe atyre historike. Aq absurde saqë po me duket se shumë po merremi me to dhe po j bëjmë një eho të panevojshme ne politikanët dhe mediat.