Profesori i “Virginia University”: Në marrëveshjen Kosovë-Serbi kishte çështje që s’lidheshin me dy vendet

11.09.2020 12:14:38

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, ka prodhuar reagime të ashpra në sferën politike në Kosovë.

Profesori dhe sociologu pranë “Virginia University”, Besnik Pula tha në “Ilva Now” se brenda marrëveshjes se nënshkruar kishte shumë pika, që nuk lidheshin drejtpërdrejt me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se një ndër çështjet, e cila ka qenë tepër zhgënjyese për palën kosovare ishte mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, edhe pse kryeministri Hoti para udhëtimit drejt Shtëpisë së Bardhë tha se ky do të ishte qëllimi kryesor.

Sipas tij, ky dështim ka qenë arsyeja kryesore që ka prodhuar reagimet dhe kundërshtitë mbi marrëveshjen ekonomike në Kosovë.

“Brenda marrëveshjes ka një sërë çështjesh të cilat nuk lidhen fare midis marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Janë pika që nuk lidhen drejtpërdrejt mes Kosovës dhe Serbisë, dhe midis këtyre pikave kemi edhe çështje, të cilat dolën zhgënjyese, edhe për palën kosovare, sepse edhe kryeministri Hoti para se të nisej në Uashington kishte pretenduar se do të shkonte për të marrë njohjen nga Serbia, por erdhi pa të. Ky është thelbi i reagimit nga VV, por edhe nga Vjosa Osmani dhe të tjerëve”, tha ai për Euronews Albania.

Përfshirjen e Izraelit në çështjen e Kosovës dhe Serbisë për z. Pula është një “lojë” zgjedhore e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ai më tej u shpreh se në Shtëpinë e Bardhë janë dy dokumente të firmosura, të cilat më tepër janë në formën e zotimeve, që mund të rrisin më tej tensionet politike ekzistuese.

“Përfshirja e Izraelit nuk kishte fare lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, por me fushatën zgjedhore të Donald Trump. Kemi dy dokumente të firmosura nga kryeministri Hoti dhe nga presidenti Vuçiç, që janë më shumë në formën e zotimeve se sa marrëveshje që kalojnë me ratifikim. Nga kjo fillojnë problemet, ku mendoj se do të rrisin më tej tensionet politike ekzistuese”, theksoi ai.